BRITANI E MADHE – Barnier: Raundi tjetër i negociatave post Brexit thelbësor

LONDËR, 28 maj /ATSH-AFP/- Kryenegociatori i BE-së për Brexit-in, Michel Barnier, tha sot se raundi i negociatave të javës së ardhshme do të jetë thelbësor në sigurimin e një marrëveshjeje tregtare post Brexit me Britaninë e Madhe.

Tre raunde bisedimesh deri më tani kanë përfunduar pa ndonjë rezultat të prekshëm.

Për raundin e katërt, i cili fillon të hënën, ai bëri thirrje për më shumë realizëm nga partnerët e tij negociues.

“Britanikët nuk e kanë kuptuar ose nuk duan ta kuptojnë se Brexit ka pasoja për ta”, tha Barnier në një intervistë për radion gjermane “Deutschlandfunk”.

“Ne vazhdojmë të përcaktojmë kushtet për qasje në tregun tonë. Ne mbetemi sovranë. Ky është mandati im”, shtoi ai.

Barnier kritikoi, gjithashtu, ngurrimin e Londrës për një zgjatje të mundshme të periudhës aktuale të tranzicionit, në mënyrë që t’i lihet kohë negociatave./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.