Ambasadë e përbashkët Shqipëri-Kosovë në Australi/ Cakaj: Ky është vetëm fillimi

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, prezantoi sot hyrjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Kanberra të Australisë, e cila ndodhet në një hapësirë të vetme të përbashkët.

“Ky është një prej veprimeve më domethënëse që kemi ndërmarrë deri më sot, për të jetësuar marrëveshjet e përbashkëta, në shërbim të një politike të jashtme të bashkërenduar. Mes të tjerash, kjo përfshin edhe ndarjen e hapësirave në përfaqësitë konsullore dhe diplomatike sipas mundësive objektive”, u shpreh Cakaj në postimin e tij.

Po ashtu, Cakaj theksoi se vazhdimi i këtij projekti është një punë skajshmërisht e rëndësishme, një shfrytëzim më ekonomik i burimeve logjistike dhe me një domethënie të veçantë për marrëdhënien politike mes dy vendeve./m.m/r.e//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.