UASHINGTON, 27 maj /ATSH-AFP/- Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, përshëndeti sot planin e rimëkëmbjes ekonomike të propozuar nga Komisioni Europian, duke thënë se ishte një hap i madh përpara, nga i cili do të përfitojnë gjithashtu edhe vendet më skeptike të BE-së.
“Do të jetë një hap i shkëlqyer përpara për Bashkimin Europian, për të treguar solidaritetin e saj në një mënyrë shumë konkrete dhe për të na ndihmuar të gjithëve që të kapërcejmë këtë krizë”, tha kreu i qeverisë greke në një konferencë virtuale, e organizuar nga Institucioni “Brookings” dhe Universiteti i Virxhinias.
“Në fund të fundit, edhe vendet që ngurrojnë dhe janë skeptikë në lidhje me këtë zgjidhje, janë shumë të varura nga tregu i vetëm, ndoshta edhe më shumë nga sa jemi”, shtoi drejtuesi i qendrës së djathtë.
Greqia përfitoi nga një shpëtim i jashtëzakonshëm financiar pas krizës së borxhit në fillim të viteve 2010, por planet dragoniane të shtrëngimit buxhetor, të imponuara nga kreditorët e saj, BE-ja dhe FMN-ja, kanë lënë gjurmët e tyre dhe shpesh kritikohen nga ekonomistët./ /ervo/