Parku foltovoltaik i Karavastasë/ Rama: Hapet faqe e re e energjisë diellore

TIRANË, 27 maj/ATSH-Maela Marini/ Siguria energjetike dhe diversifikimi i burimeve të energjisë janë një prioritet kombëtar, që sot fuqizohet me hapjen e faqes së re të energjisë diellore, në finalizimin e ankandit ndërkombëtar për parkun fotovoltaik të Karavastasë, me shpalljen e kompanisë fituese dhe hapjen e rrugës për një investim të konsiderueshëm për ekonominë e vendit.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, gjatë finalizimit të ankandit ndërkombëtar për parkun fotovoltaik të Karavastasë.

“Pas një periudhe jo të shkurtër ne arritëm të finalizojmë këtë proces duke pasur parasysh edhe periudhën e epidemisë dhe solli shumë pezullime dhe shtyrje të proceseve dhe të garave që ishin shpallur. Më vjen shumë mirë që ne sot jemi në gjendje të shohim konkretisht financimin e një përpjekje të madhe nga njëra anë për të hapur një faqe të re në historinë e sistemit tonë energjetik, duke përfshirë në mënyrë shumë domethënëse një volum të rëndësishëm, i pari i kësaj natyre, të energjisë diellore në sistemin energjetik”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama tha se “kemi një investim i huaj mbi 100 milionë euro që nuk është thjesht i rëndësishëm në vlerë por për faktin se do të bëhet nga një kompani me prestigj të madh ndërkombëtar dhe nga hyrja në ekonominë shqiptare e një aktori të rëndësishëm ekonomik që vjen nga Franca”.

“Të gjitha këto bashkë e bëjnë këtë një ditë shumë pozitive për Shqipërinë, qeverinë dhe natyrisht edhe për ecurinë e progresit në sistemin tonë energjetik. E dimë shumë mirë që jetojmë në një kohë kur gjithmonë e më shumë kërkohet diversifikimi i burimeve të energjisë në një botë që konsumon çdo sekond 1100 fuçi naftë dhe 220 ton qymyr. Të gjitha këto janë burime të shterueshme ndërkohë që tanimë edhe këtë e kemi mësuar se është botërisht e njohur”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “duke qenë një vend i bekuar me 95% të energjisë së rinovueshme si pothuajse asnjë vend tjetër në Europë falë rezerva të mëdha hidrike, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që komponenti tjetër i munguar është dielli në prodhimin e energjisë”.

Rama tha se “ky është një potencial i jashtëzakonshëm për ne për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, ndaj është më urgjente sot që Shqipëria të diversifikojë dhe investojë në energjinë që prodhohet nga dielli”.

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka 300 ditë diell në shumicën e territorit, ose 2400 orë diell.

“Në ultësirën perëndimore ku do të ndërtohet ky impiant kjo shkon në 2700 orë. Çdo ha tokë aty mund të gjenerojë çerek milionë euro në vit duke u shfrytëzuar për prodhim energjie. Ky park në përmasë është sot më i madhi në rajon por nga ana tjetër dua të shtoj se për ne nuk është fundi por fillimi i një procesi ku presim rritjen e këtyre kapaciteteve. Është një ogur fantastik që e fillojmë me një aktor që pa asnjë hije dyshimi është një prestigj dhe me aftësi botërisht të njohur duke i dhënë kështu kësaj pjese të sistemit një besueshmëri të lartë”, tha Rama

Kryeministri theksoi se ishin 30 kompani të mëdha që u paraqitën duke kërkuar dokumentet dhe kjo është një tjetër shenjë se sa shumë potencial dhe sa shumë aftësi tërheqëse kemi në këtë sektor.

“Ashtu sikundër më vjen shumë mirë të them se edhe pse patët vështirësi që dalin nga procese që nuk mund të planifikohen dhe zbatohen 100%, në fund mund të themi ia ka vlejtur gjithë ky proces. Edhe falë faktit që ministrja me shumë sukses arriti të përfshijë Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si shoqëruese të procesit duke sjellë ekspertizën, por edhe syrin e saj vëzhgues mbi të gjitha kriteret e garës, hapat me transparencë dhe me një integritet të plotë të procesit në sytë e të gjithë aktorëve ndërkombëtare. Besoj se është një shembull i mirë dhe provë e vullnetit tonë për të rritur standardet, transparencën e cilësinë e ofertave”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në këtë rast, askush nuk mund të ankohet për asnjë element dhe nuk mund të pretendojë se procesi ka pasur hije”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.