Gërryen shtratin e lumit Mat, gjobë dhe procedim penal për 2 shtetas


TIRANË, 27 maj/ATSH/ Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me IKMT-në, kanë vijuar kontrollin përgjatë shtratit të lumit Mat, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit, duke marrë zhavorr në mënyrë të paligjshme.

Si rezultat i kontrollit u kap në flagrancë dhe u procedua penalisht shtetasi L. M., 51 vjeç, banues në Lezhë, pasi në Fushë-Milot, Kurbin, në shtratin e lumit Mat, u kap duke gërryer, duke grumbulluar dhe duke marrë zhavorr.

Po gjatë kontrollit u kap dhe u procedua penalisht shtetasi B. A., 55 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi në Fushë-Milot, Kurbin, në shtratin e lumit Mat, u kap duke gërryer dhe duke marrë zhavorr.

Nga ana e IKMT-së, të dy këta shtetas janë gjobitur me masë administrative 2 milionë lekë të reja secili.

Kontrollet do të vijojnë për penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumit Mat apo që kryen krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ambientit dhe lumenjve apo zjarrvënie të qëllimshme pyjeve dhe kullotave. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.