FRANCË – Le Maire: Të gjitha shtetet të mbështesin planin historik të BE-së për rimëkëmbjen

PARIS, 27 maj /ATSH-AFP/ – Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire u kërkoi të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Europian, duke përfshirë këtu edhe katër shtetet e kursyera si Holanda, Danimarka, Austria dhe Suedia për të mbështetur planin historik të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, prezantuar nga Brukseli.

“U kërkoj të gjitha shteteve europiane pa përjashtim, përfshirë këtu edhe katër shtetet e kursyera për të mbështetur këtë plan”, deklaroi ministri francez i Financave duke nënvizuar se BE zhvilloi takimin e Historisë dhe se goditi fort dhe drejt.

Në një mesazh në Twitter, presidenti francez, Emmanuel Macron përshëndeti një ditë thelbësore për Europën duke kujtuar se marrëveshja franko-gjermane, që kishte arritur me kancelaren gjermane, Angela Merkel javën e kaluar ishte origjina e këtij avancimi.

“Ne duhet të shkojmë shpejt dhe të miratojmë një marrëveshje ambicioze me të gjithë partnerët europianë”, nënvizoi presidenti francez, Macron.

Në senat, Le Maire përmendi gjithashtu kontributin e Parisit dhe Berlinit për planin e prezantuar nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Ky duhet të jetë një motiv krenarie për të gjithë ne, që të shohim që marrëveshja franko-gjermane, e negociuar nga presidenti francez dhe kancelarja gjermane u mor plotësisht nga Komisioni Europian dhe shërbeu si bazë për këtë plan”, konfirmoi ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.