BRITANI E MADHE – Frost: Londra jo e gatshme të zgjasë periudhën e tranzicionit post Brexit

LONDËR, 27 maj /ATSH-DPA/- Qeveria britanike nuk është e gatshme të zgjasë periudhën e tranzicionit post Brexit përtej fundit të vitit, tha sot kryenegociatori i Londrës me Brukselin, David Frost.

“Politika e vendosur e qeverisë është që ne nuk do ta zgjasim periudhën e tranzicionit dhe, nëse kërkohet, ne nuk do të jemi dakord me të”, i tha Frost një komiteti parlamentar.

Deklaratat e negociatorit britanik para Komitetit të Komuneve për Marrëdhëniet e Ardhshme me Bashkimin Europian, u bënë pasi homologu i tij i BE-së, Michel Barnier, tha se Brukseli ishte i hapur për një vonesë dyvjeçare Brexit-i.

Britania u largua nga Bashkimi Europian në fund të janarit dhe qeveria e kryeministrit Boris Johnson këmbëngul që negociatat për një gamë të gjerë temash të ndjeshme duhet të përfundojnë brenda afatit zyrtar të 31 dhjetorit 2020./ /ervo/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.