Reforma Zgjedhore/ Këshilli Politik arrin konsensus për financimin e partive, kuotën gjinore e periudhën zgjedhore

TIRANË, 26 maj /ATSH – I. Vata/ Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha në fund të mbledhjes se është arritur dakordësia mes palëve politike për disa çështje të rëndësishme.

Gjiknuri tha se “takimi ishte i suksesshëm, pasi ramë dakord për disa marrëveshje konsensuale për një grup çështjesh. Së pari, u pranua nga të gjitha palët që periudha zgjedhore të zvogëlohet nga 15 prill-15 maj dhe nga 15 tetori-15 nëntor”.

“Është një periudhë shumë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, pasi edhe klima është më e mirë. Pjesëmarrja sa më e lartë në zgjedhje do të jetë një gjë shumë e mirë”, – theksoi ai.

Gjiknuri u shpreh se “ramë dakord edhe për parimin e kuotës gjinore, që një në tre emra të jetë nga gjinia femërore, të shoqëruar dhe me sanksionet përkatëse. Nisur nga ky parim duhet të shihet si të eliminohen disa shqetësime”.

“Ramë dakord që të kemi dhe financimin miks, pra financim nga qeveria, dhe pjesa tjetër nga donacionet, por duke e ulur në një raport më të pranueshëm. Qeveria ka marrë përsipër të shtojë vlerën totale që do të jepet për fushatën e ardhshme zgjedhore. Kapitulli i financimit të fushatës ka marrë dakordësim. Vendosëm që mbledhjen e ardhshme ta kemi ditën e enjte, ku do të trajtojmë disa çështje të tjera. Këto ishin rezultatet e kësaj mbledhjeje dhe jam i kënaqur se kemi bërë disa hapa”, – nënvizoi Gjiknuri.

Në lidhje me arritjen e afateve për përmbylljen e Reformës Zgjedhore, Gjiknuri tha se “nëse punohet me intensitet ne mund t’i realizojmë marrëveshjet e përgjithshme dhe mund të marrë pak ditë kohë. Më e rëndësishme sesa data është marrëveshja politike”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.