Reforma Zgjedhore/ Bylykbashi-Vasili: Brenda 31 majit arrijmë kompromis edhe për çështje të tjera

TIRANË, 26 maj /ATSH – I. Vata/ Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi dhe përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili theksuan se “sot ramë dakord për 3 çështje kryesore, periudha zgjedhore, financimi i partive dhe kuota gjinore”.

Në një prononcim pas tryezës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Bylykbashi tha se “sot diskutuam tre çështje, çështjen e kuotës gjinore dhe çështjen e financimit të partive politike. U arrit në Këshillin Politik që periudha zgjedhore të jetë 15 prill-15 maj, që është periudha e parë dhe nga 15 tetori-15 nëntor, që është periudha e dytë, që do t’i mundësojë presidentit datën e zgjedhjeve pa kufizime siç është deri më sot. Kjo u jep mundësinë që zgjedhësit të marrin pjesë në numër më të lartë. I largohemi periudhave të nxehta dhe të ftohta që mund të pamundësojnë pjesëmarrjen në zgjedhje. Nga ana tjetër diskutuam dhe arritëm në dakordësi shumë elementë për financimin e partive nëpërmjet një formule mikse, ku synimi ynë kryesor si opozitë ka qenë reduktimi në mënyrë drastike i financimit privat në fushata zgjedhore në mënyrë që të pastrohet fushata nga interesa të paligjshme që vijnë dhe penetrojnë në fushatë. Pati debat për çështje të ndryshme, por jemi në rrugën e përmbylljes së këtyre dy paketave”.

Nga ana e tij, Vasili tha se “në takimin e sotëm ishte një moment delikat për sa i përket kotës gjinore. Bashkë ndamë një zgjidhje dhe një kompromis që kuota gjinore të respektohet duke pasur principin ‘një në tre’. Gjithashtu të unifikohet edhe me kohën gjinore në pushtetin lokale 50% ku ka qenë një kuotë joefikase, jorealiste dhe ka prodhuar fiktivitet. Kemi kërkuar me forcë që kjo kuotë gjinore të ketë dispozita mbrojtëse për zbatimin e saj në praktikë. Mendoj që ekspertët do të sjellin një mendim të pranueshëm”.

Duke iu përgjigjur interesit të medieve për problematikat që hasën, Bylykbashi tha se “problematikat kryesore të procesit zgjedhor nuk janë këto. Ajo që duhet patjetër të garantojmë është mbrojtja e zgjedhësit shqiptar që ai ta hedhë votën të lirë dhe në sekret të plotë. Është një rekomandim i rëndë për Shqipërinë nga ODIHR dhe OSBE që të merren masa për ta mbrojtur. Ajo që në do të kemi në diskutim në ditët në vijim janë masat që rregullojnë veprimtarinë e prokurorisë, policisë, të SPAK në goditje të krimit zgjedhor, masat që do merren në QV, masat që të garantojnë që kutia nuk mbushet. Këto janë problemi real, që vota e zgjedhësit është e vërtetë dhe numërohet pa manipulime dhe të gjitha çështjet e tjera janë rreth këtij boshti. Kjo është sfida e madhe. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që brenda 31 majit t’i diskutojmë dhe arrijmë në kompromis”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.