Reforma Zgjedhore/ Ambasadorja Kim takon Bashën: Duhet përmbushur premtimi për ta përfunduar deri më 31 maj

TIRANË, 26 maj /ATSH – I. Vata/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha ku diskutuan për Reformën Zgjedhore.

Pas takimit në një prononcim për mediet, ambasadorja Yuri Kim e cilësoi “një takim shumë të mirë”. “Diskutimi ynë ishte pafundësisht i vendosur për të ardhmen, jo për të shkuarën dhe veçanërisht folëm për rëndësinë sesi udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritjet e popullit shqiptar, sikurse kanë premtuar për të përfunduar Reformën Zgjedhore deri më 31 maj”, u shpreh Kim.

Ambasadorja Kim theksoi se ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e SHBA-së apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm. “Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi, opozita ka një punë shumë të vështirë përpara. Po ndjehem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi rezultatet”, u shpreh ambasadorja Kim.

Nga ana e tij, Basha falënderoi ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen që i jep Reformës Zgjedhore. “Organizmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është prioriteti ynë absolut i PD-së dhe i opozitës së bashkuar dhe i gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve që t’i drejtohen një orë dhe më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin me votën e tyre të lirë të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do bëjmë gjithçka që brenda 31 majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe vendosur kësaj mazhorance”, u shpreh Basha.

“Do bëjmë gjithçka për të garantuar vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe  problemi numër 1 me zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin e tyre dhe njëkohësisht  Shqipëria të ecë përpara të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e Integrimit Europian dhe anëtarësimit në BE që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore, ekzistenciale që nga dita e saj e parë”, tha Basha. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.