Mblidhet sot Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore

TIRANË, 26 maj /ATSH – I. Vata/ Nis sot mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore ku do marrë pjesë dhe opozita joparlamentare pas largimit disaditor.

Pas bojkotit të takimit të fundit nga opozita e bashkuar në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, palët politike, opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare pritet të mblidhen ditën e sotme në orën 11:00.

Opozita joparlamentare përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së, ndërsa mazhoranca përfaqësohet në bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri, ndërsa opozita parlamentare nga bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari.

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar opozita e bashkuar u largua nga Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore, por pas thirrjes së bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri, opozita jashtëparlamentare konfirmoi pjesëmarrjen për të vazhduar zbatimin e reformës zgjedhore.

Këshilli Politik pritet të diskutojë sot disa pika të lëna në takimin e mëparshëm siç është financimi i partive, votimi elektronik, Kolegji Zgjedhor, por dhe ndryshimin e sistemit që është një kërkesë e opozitës parlamentare.

Reforma Zgjedhore ishte parashikuar të përfundonte në muajin maj ose në fillim të muajt qershor. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.