Krimi Mjedisor/ Policia aksion në Durrës për lirimin e hapësirave publike dhe ndotjes së mjedisit

TIRANË, 26 maj/ATSH-Arbi Fortuzi/ Policia e Shtetit vijon operacionin kundër krimeve mjedisore, zaptimit të pronës publike në plazhe, ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje.

Kontrolle të shtuara ka pasur në zonën bregdetare, nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT) duke evidentuar te Shkëmbi i Kavajës, një rast të zaptimit të pronës publike dhe ndërtimit pa leje.

“Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IKMT-në, te Shkëmbi i Kavajës, para lokalit të shtetasit I. K. kanë konstatuar se ai kishte zaptuar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke, pronë publike plazh, duke e rrethuar me mur dhe plate betoni”, bën të ditur në një njoftim për shtyp Policia.

Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin shtetasin I. K., 66 vjeç, banues në Durrës.

“Ndërkohë, IKMT ka plotësuar dokumentacionin për prishjen e këtij ndërtimi brenda 5 ditësh”, tha Policia e Shtetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

/a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.