BRUKSEL – BE-ja dhe Japonia dakord për mbështetjen e një strategjie për rimëkëmbjen ekonomike gjatë G7-s

BRUKSEL, 26 maj /ATSH-AFP/ – Bashkimi Europian dhe Japonia do të mbështesin një strategji ambicioze për rimëkëmbjen ekonomike për të dalë nga kriza e shkaktuar nga pandemia gjatë samitit të ardhshëm të G7 në qershor në SHBA, njoftuan sot liderët e tyre në përfundim të një samiti.

“Presidentët e institucioneve Europiane dhe kryeminstri, Shinzo Abe u shprehën të vendosur për të garantuar një rimëkëmbje ekonomike më të fuqishme dhe për të rindërtuar ekonomi më të qëndrueshme, më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente”, sipas një komunikate të përbashkët, të publikuar në fund të konferencës.

Presidenti amerikan, Donald Trump shpreson se mund ta organizojë këtë samit të G7 në Shtëpinë e Bardhë me pjesëmarrjen e të gjithë drejtuesve, pavarësisht pandemisë së koronavirusit që ka goditur rëndë SHBA-në.

Homologët e tij janë treguar të kujdesshëm dhe janë shprehur të gatshëm për të shkuar në Uashington nëse kushtet shëndetësore do ta lejojnë këtë.

“Ky samit duhet të jetë një mundësi për të dërguar sinjale të forta dhe europianët do të koordinojnë pozicionet e tyre”, theksoi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në një konference shtypi në Bruksel pas bisedimeve të tij me kryeministrin japonez.

“Japonia dhe Bashkimi Europian përfaqësojnë një të tretën e ekonomisë botërore”, shtoi ai.

“Të dy palët do të mbrojnë tregtinë e lirë dhe multilateralizmin”, nënvizoi ai.

Deklarata e përbashkët thekson “rëndësinë e mbajtjes së hapur të sistemit të tregtisë”./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.