Meta: SHBA dhe BE duhet të përgjigjeshin për paanësinë e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Presidenti Ilir Meta tha sot në një intervistë televizive se çdo akt që ka të bëjë me Reformën në Drejtesi është një akt që shikohet me shumë vëmendje dhe cilësinë e reformës e gjykon Këshilli i vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“Kush merrte kurajo për të bojkotuar presidentin e Republikës në vendin ku punon? Euralius dhe Opdat punojnë me urdhrat e Edi Ramës. Ta dinë gjithë shqiptarët meqë jemi pa Gjykatë Kushtetuese, ta marrin faturën ata që e kanë lënë Shqipërinë pa GJK e bëjnë sikur u qan zemra”, u shpreh Meta.

“Duhet të kenë parasysh që provimi i qershorit nuk shmanget me shashka tymuese”, tha Meta.

Meta theksoi më tej se nga nesër do të ketë një president tjetër, institucional, i kujdesshëm që nuk do të përfshihet më siç është përfshirë deri tani me platforma.

“Një president që do të zbatojë me besnikëri Kushtetutën”, u shpreh Meta.

Më tej, ai theksoi se me kryeministrin nuk do të përfshihet më në biseda që lënë vend për hamendësime, por do të jetë i hapur për takime zyrtare të mirëdokumentuara.

Lidhur me mesazhin e ambasadores se SHBA-se, Yuri Kim e cila pak ditë më parë tha se “shpresoj që të mos ketë një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi”, Meta tha se “nuk mund të jem target i askujt sepse jam presidenti i vendit”.

“Presidenti ne 8 prill i ka dërguar ambasadores amerikane platformën me 14 pika që edhe u bë publike. Nëse ka ndonjë shqetësim ta thotë se unë kam 50 ditë që ia kam çuar. Nuk kisha pse t’ia çoja ambasadorit të BE sepse që ditën e parë që ka ardhur në Shqipëri i kam kërkuar të ndërhyjë për situatën e rëndë ku po përfundonte reforma në drejtësi”, u shpreh Meta.

“Jam shumë i shqetësuar për besueshmërinë e SHBA edhe sa i takon reformës në drejtësi në Shqipëri. I kam dërguar letra sa herë që kam qenë i shqetësuar se mazhoranca ka përdorur Euralius dhe OPDAT, e s’kam marrë asnjë përgjigje me shkrim për këto çështje”, tha Meta.

“Nuk ka si ta ketë për mua ambasadorja se në Shqipëri ka dy aktorë politikë reforma. Ka mazhorancën dhe opozitën. Por opozita ka ikur nga parlamenti, kështu që në Shqipëri ka vetëm një aktor politik, që është Edi Rama. Ka dhe një aktor politik që janë këto dy ambasadat që duhet të përgjigjeshin për paanësinë e kësaj reforme. Nuk ka aktorë të tjerë këtu”, tha Meta.

“Atyre ndërkombëtarëve që janë bërë palë me Ramën ia kam vënë unë gishtin sy më sy, e po deshe i them edhe këtu”, tha Meta.

“Nuk mund të ketë një ambasadore target mbi një president se ky është një problem tjetër. Nuk është Ilir Meta target i askujt.  Nuk lejoj më të tallet njeri me atë reformë që e katandisën në atë formë”, u shpreh Meta.

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se nëse opozita vendos të mos hyjë në zgjedhje nuk do të shtyhet më data e zgjedhjeve.

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.