Tërmeti i shtatorit u shembi shtëpinë, Veliaj i jep çelësat e banesës së re familjes në Pezë Helmes

 

TIRANË, 24 maj/ATSH/ Duke filluar nga java e ardhshme, Bashkia e Tiranës do të rinisë punën për ndërtimin e 800 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti shkatërrues, që goditi vendin tonë vjeshtën e vitit 2019.

Lajmin e mirë e dha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nga Pezë Helmesi, ku i dorëzoi çelësat e banesës së re familjes Kalleshi.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, Emini, bashkëshortja Elsa dhe katër fëmijët e tyre, do ta festojnë Bajramin në shtëpinë e tyre të re.

Së shpejti, edhe shumë familje të tjera, të cilave iu dëmtuan shtëpitë nga tërmeti, do të kenë fatin e mirë të familjes Kalleshi.

“Premtuam se festa e Bajramit do të na gjente me shtëpinë e re, dhe falë miqve si Visari, kjo u bë e mundur në kohë rekord. Por, lajmet më të mira do t’i kemi javën tjetër, me ndërtimin e 870 shtëpive të reja, sapo të mbarojmë me të gjitha procedurat për ofertat. Mandej, do të shpërndahemi në të gjithë territorin që të shfrytëzojmë kohën gjatë verës. Një gjë është e sigurt, kur ne shqiptarët punojmë bashkë bëjmë gjëra të mrekullueshme”, u shpreh Veliaj.

Sakaq, kryebashkiaku ka vënë theksin tek një sërë investimesh të rëndësishme të realizuara në kryeqytet gjatë këtyre viteve, të cilat i kanë dhënë Tiranës hapësira në funksion të qytetarëve dhe të vlerësuara edhe me çmime ndërkombëtare.

Duke u ndalur te projektet për lodrat tek Liqeni, Amfiteatri, e Pazari i Ri, Veliaj u shpreh se shumë shpejt do të fillojë puna për detajimin e projektit të Teatrit të ri Kombëtar.

“Sheshin Skënderbej e bëmë bashkë, pas vitesh të tëra debati. Po ashtu edhe Liqenin, që kishte vite të tëra që as nuk riparohej Amfiteatri, as nuk çlirohej pjesa e dytë e zaptuar. Bashkë e bëmë Pazarin e ri, i cili ishte zhytur në lluc e në minj, por doli në dritë! Sot është bërë një nga vendet më të bukura. Bashkë e bëmë Kalanë, pjesën e parë, do vazhdojmë me pjesën e dytë. Pavarësisht se na u hodhën në fyt, ato dolën në dritë dhe po shijohen edhe nga njerëzit, ka jetë. Bashkë bëmë edhe Bulevardin e ri, aty ku do jenë lagjet e reja të Tiranës dhe Tirana e 100 viteve që do të vijnë. Bashkë bëmë stadiumin; kush do e mendonte që stadiumi i Shqipërisë do ishte stadiumi më i mirë në Europën Juglindore që në vitin e parë dhe do të shitej çdo biletë, jo vetëm për ndeshje ndërkombëtare, por edhe për ato lokale. Sigurisht, bashkë do të bëjmë edhe Teatrin. Do të fillojmë shumë shpejt nga puna. Arkitektët do të shfrytëzojnë kohën e pushimeve, që të detajojmë projektin, pastaj kur të rifillojë jeta në shtator, të kemi filluar edhe atë kantier të ri”, u shpreh ai.

Veliaj tha se krahas projekteve të rëndësishme për Tiranën, do të vijojë puna për rikuperimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i shtatorit dhe ai i nëntorit, për të akomoduar në shtëpinë e reja edhe ata banorë që aktualisht janë sistemuar në banesa me qira apo banesat sociale. Rindërtimi i shtëpisë së familjes Kalleshi u bë falë kontributit të Shoqërisë “Previsa” sh.p.k, që iu përgjigj menjëherë thirrjes së kryebashkiakut Veliaj për të ndihmuar këto familje./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.