SEUL, 24 maj /ATSH-DPA/ – Koreja e Veriut po planifikon të rrisë aftësitë e saj bërthamore, njoftoi sot media shtetërore koreano-veriore.
Lideri i vendit komunist, Kim Jong Un drejtoi një takim të komisionit ushtarak të Partisë së Punës, gjatë së cilit u prezantuan “politikat e reja për rritjen e mëtejshme të aftësisë së luftës bërthamore të vendit”, sipas agjencisë zyrtare koreano-veriore të lajmeve, KCNA.
“Diskutimi gjithashtu përfshiu politikat për t’i vendosur forcat e armatosura strategjike në gatishmëri të lartë”, shtoi KCNA.
Koreja e Veriut po i nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare të vendosura në përgjigje të programit të saj bërthamor.
Negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngecur që nga një samit midis Kim dhe presidentit të SHBA, Donald Trump, në Vietnam në shkurt 2019./ /ec/