Vlerësim të ndikimit në mjedis për çdo projekt publik apo privat para miratimit të zhvillimit

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Qeveria ka miratuar disa ndryshime në ligjin “Për vlerësimin e ndotjes në mjedis”, përmes së cilave detyron autoritetet përgjegjëse për miratimin e zhvillimit për një projekti publik ose privat që përpara vendimit për dhënien ose jo të miratimit të zhvillimit, të sigurohet që projekti t’i jetë nënshtruar procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Projektligji ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare.

“Miratimi i këtij projektligji do të mundësojë përmirësimin dhe forcimin e detyrimeve që lidhen me mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri nga zhvillimi i projekteve publike dhe private, nëpërmjet detyrimit që autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit për një projekti publik ose privat, përpara vendimit për dhënien ose jo të miratimit të zhvillimit, sigurohet që projekti t’i jetë nënshtruar procesit të VNM-së dhe, në varësi të projektit, të jetë pajisur me deklaratë mjedisore ose vendim për VNM paraprake:, thuhet në relacionin shoqërues të p/ligjit

Po ashtu, p/ligji parashikon ngritjen e sistemit të vetëmonitorimit të ndikimeve në mjedis gjatë ndërtimit dhe zbatimit të projekteve publike dhe private si dhe përcaktimin e kundërvajtjeve administrative dhe sanksioneve në rast të moszhvillimit të procedurës së VNM-së apo shkeljes së kushteve të përcaktuara në deklaratën mjedisore ose vendimin për VNM paraprake në varësi të projektit.

“Me ligjin aktual situata është parë që nuk do të sillte përmirësime sa i takon pjesës së koordinimit ndërinstitucional dhe ndarjes së drejtë të përgjegjësive mes aktorëve të përfshirë në procesin e VNM-së, përfshirë autoritetet përgjegjëse për miratimin e zhvillimit të një projekti publik apo privat, gjë që do të çonte në përkeqësimin e cilësisë së mjedisit në Shqipëri, në mungesën e një
sistemi të mirëfilltë monitorimi për projektet publike apo private gjatë fazës së zbatimit të tyre në terren e, si pasojë, do të kemi paaftësi në marrjen e masave të
duhura për shmangien apo minimizimin e ndikimeve të rëndësishme negative në mjedis, që në fazën e projektimit, ndaj shihet me tepër përparësi miratimi i këtij projektligji”, thuhet në relacion./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.