TURQI – Rifillojnë disa shërbime hekurudhore

STAMBOLL, 23 maj /ATSH-DPA/ – Turqia do të rifillojë javën e ardhshme udhëtimet me tren, dy muaj pasi shërbimet u pezulluan për të frenuar përhapjen e koronavirusit, tha ministri i Transportit.

“Trenat do të bëjnë 16 udhëtime çdo ditë midis Stambollit, Ankarasë dhe qyteteve qendrore të Anadollit Eskisehir dhe Konya, si pjesë e një periudhe normalizimi”, deklaroi ministri i Transportit, Adil Karaismailoglu.

“Trenat do të operojnë me gjysmë kapaciteti, do të ketë hapësirë midis vendeve dhe pasagjerët do të monitorohen”, theksoi ministri, duke shtuar se personat nën 20 vjeç dhe ata mbi 65 vjeç do të duhen të pajisen me një leje të veçantë nga autoritetet lokale për të qenë në gjendje të udhëtojnë.

Këto grupmosha janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi dhe lejohen të dalin vetëm për një kohë të kufizuar në ditë të caktuara të javës. / /sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.