Ruçi uron Fitër Bajramin: Mirënjohje besimtarëve për stoicizmin gjatë pandemisë

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u dërgoi sot një mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë, me rastin e Festës së Fitër Bajramit.

“Fiter Bajrami, kjo ditë e kurorëzimit të agjërimit, është në të njëjtën kohë festivali i besimit, dashurisë, shpresës dhe humanizmit”, thuhet në mesazhin e Ruçit.

Muaji i Ramazanit që sapo u mbyll, shprehet më tej ai, ishte një sakrificë fisnike brenda një dhimbjeje të madhe e të heshtur njerëzore e globale, të shkaktuar nga rreziku i koronavirusit.

“Pandemia i pengoi besimtarët myslimanë të ushtronin ritet fetare mijëravjeçare dhe t’u bashkoheshin familjarëve, të afërme e miqve në shtëpi, xhamitë e qendrat komunitare, për t’u lutur, ndihmuar, dhuruar dhe admiruar njeri-tjetrin, për të kremtuar bashkarisht iftaret, namazet, festimet dhe çastet e gëzuara me të dashurit. Por myslimanët, ashtu si të gjithë shqiptarët, besimtarë apo jo besimtarë, rezistuan dhe po fitojnë. Besimtarët i ushtruan ritet, agjëruan, gëzuan, shpresuan brenda vatrave të tyre familjare. Ata provuan se besimi, dashuria e shpresa, dhe jo frika e ftohtësi janë vlerat që i udhëheqin në jetë”, deklaron Ruçi.

Ky, shprehet ndër të tjera kreu i Kuvendit, është Fitër Bajrami i parë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe na gjen në nisje të daljes nga pandemia e koronavirusit.

“Prandaj një mesazh solidariteti e dashurie kam për të gjithë besimtarët që nga koronavirusi humbën të dashurit e tyre dhe nga tërmeti humbën shtëpitë. Të prekurve nga COVID-19 u uroj shërim të shpejtë dhe të dëmtuarve nga tërmeti u uroj të kthehen sa më shpejt dhe të lumtur në shtëpitë e tyre të reja, për të cilat nxis Qeverinë të përshpejtojë Programin e Rindërtimit”, tha Ruçi.

Me këtë rast Ruçi shprehu mirënjohjen e tij dhe të Kuvendit të Shqipërisë për komunitetin mysliman dhe kontributin e institucioneve fetare për të motivuar besimtarët dhe të gjithë qytetarët të përballojnë me stoicizëm pasojat dhe rregullat mbrojtëse nga koronavirusi dhe të mbrojnë shenjtërinë e jetëve njerëzore.

“Shëndet, paqe e lumturi në familjet e të gjithë shqiptarëve. Uroj që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar dhe shumë shpejt të kthehemi të gjithë në jetën normale dhe gëzimet e saj”, thuhet në mesazhin e kreut të Kuvendit./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.