Roli i shoqërisë civile, me rëndësi për nxitjen e reformave thelbësore në Shqipëri

TIRANË, 23 maj/ATSH/ -“Roli i shoqërisë civile është mjaft i rëndësishëm në llogaridhënien e qeverisë, parandalimin e korrupsionit dhe nxitjen për reforma thelbësore në Shqipëri”.

Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brian Beckmann theksoi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në llogaridhënien e qeverisë, parandalimin e korrupsionit dhe nxitjen për reforma thelbësore në Shqipëri teksa iu drejtua pjesëmarrësve në seancat e informimit mbi Programin Granteve të Vogla të Komisionit të Demokracisë, bëri të ditur sot ambasada e SHBA në Tiranë.

Programi, i cili administrohet nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun, mbështet nisma të organizatave jo-qeveritare (OJQ) vendase të angazhuara në mbarë Shqipërinë në fusha të ndryshme, nga anti-korrupsionin, qeverisja e mire dhe gazetaria investigative tek të drejtat të njeriut, fuqizimin i grave dhe të rinjve e shumë të tjera.

Ambasada organizoi së fundmi dy seanca informimi online për organizatat e interesuara për të aplikuar në thirrjen e parë për projekt-propozime të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit të Demokracisë për vitin 2020. Organizatat morën edhe udhëzime e këshilla për një propozim konkurrues dhe procesin e aplikimit.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.