“Nga nesër hapen xhamitë dhe tempujt fetarë”/ Rama: Komitët e SHQUP-it dhe Lalzit nxitën myslimanët t’u bashkohen revolucionit imagjinar për Bajram

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se “jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme, me të gjitha kufizimet përkatëse, duke e nisur nesër me këmbë të mbarë e me bekimin e dritës së ditës së bukur të kalendarit të besimit”.

“Pasi kemi bashkëpunuar këto javë me komunitetet fetare dhe kemi përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme, me të gjitha kufizimet përkatëse, duke e nisur nesër me këmbë të mbarë e me bekimin e dritës së ditës së bukur të kalendarit të besimit”, tha Kryeministri.

Duke ju uruar megjithë zemër Bajramin besimtarëve myslimanë, Kryeministri Rama uroi edhe që hapja e xhamive (nën kujdesin e madh të drejtuesve shpirtërorë të komunitetit për respektimin e protokollit të propozuar prej vetë atyre) të jetë një ogur i mirë paqeje e mirësish, për të gjitha komunitetet dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët në këtë kohë jo të lehtë.

“Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin mysliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram”, tha Rama.

“Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre”, vijoi Kryeministri. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.