Namazi i Fitër Bajramit do të falet në xhami, protokolli i sigurisë që do t’i nënshtrohen besimtarët

TIRANË, 23 maj/ATSH/Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët se dita e parë e Fitër Bajramit është të dielën, më 24 maj 2020 ndërsa xhamitë do të funksionojnë sipas protokollit të sigurisë në kuadër edhe të situatës së krijuar prej COVID-19.

Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e COVID-19 në Shqipëri, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bërë me dije se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia bazuar në disa rregulla.

Ceremonia qendrore e Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri), në Tiranë.
Në mesazhin e tij për besimtarët, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu u shpreh sot se se Fitër Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin.

“Bajrami është ditë shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë. Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar”, shprehet Spahiu.

Ai këshillon më tej që gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë.

Ndërsa 18 maji ka qene dita kur janë rihapur xhamitë, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka firmosur protokollin e rreptë për zbatimin e masave të parandalimit të përhapjes së COVID-it.

Në protokoll specifikohen të gjitha masat që duhet të marrin besimtarët:

Dezinfektimi i xhamive para se të fillojë frekuentimi

Mbajtja e maskës dhe dorezave

Abdesi do mbahet në shtëpi

Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale

Mbajtja e distancës fizike gjatë ritualeve

Ndalohet përdorimi i tualeteve

Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami, si dhe personat me sëmundje kronike

Nuk lejohen grupmoshat nën 12 vjeç si dhe mosha mbi 65 vjeç

Ndalohet qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve si libra, kuran, rafte

Hytbeja të mos jetë më shumë se 10 minuta

Hyrja dhe dalja në Xhami të mos jetë në grup.

Për zbatimin e këtyre masave, ngarkohen të gjithë myftitë për zbatimin e këtyre masave. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.