Mjeku Sulçebe: Virusi është ende i pranishëm, zbatimi i distancimit social dhe higjienës janë mbrojtja ndaj tij

TIRANË, 23 maj/ATSH/ -Mjeku imunolog, Genc Sulçebe është shprehur, se, “kemi një pandemi dhe nuk mund të them se ky rrezik ka kaluar për arsyen se si në Shqipëri edhe në botë infeksioni është i pranishëm”.

Gjatë një interviste televizive, Sulçebe tha se, “imuniteti jonë është aleat në luftën ndaj virusit COVID-19. Ai tha se sistemi jonë imunitar ka të gjitha mundësitë që të reagojë siç duhet ndaj këtij virusi dhe ta eliminojë atë në një kohë normale që shkon maksimumi deri në dy javë, ose mund të ketë edhe individë që nuk janë asimptomatikë, të cilët e përballojnë infeksionin pa lënë shenjë”.

I pyetur nëse koronavirusin mund ta quajmë më së shumti një sëmundje respiratore apo të imunitetit, Sulçebe tha se, “sigurisht që është një sëmundje virusale që transmetohet nëpërmjet një virusi, por edhe nëpërmjet rrugëve respiratore. Nuk ka problem imuniteti, madje imunitetin e kemi aleat në këtë drejtim. Sistemi imunitar i një njeriu normal ka të gjitha mundësitë që të reagojë siç duhet ndaj këtij virusi dhe ta eliminojë atë në një kohë normale që shkon maksimumi deri në dy javë ose mund të ketë individë që nuk janë asimptomatikë të cilët e përballojnë infeksionin pa lënë asnjë shenjë. Është një virus që transmetohet përmes rrugëve të frymëmarrjes ashtu si viruset e tjera gripalë. Mbrojtja ndaj tij është thjeshtë, duke përdorur një maskë në fytyrë dhe veçimi shoqëror nga njerëzit e tjerë”.

I pyetur nëse lë ky virus pasoja në imunitetin e njeriut, qofshin këto edhe afatshkurtra, ai tha se, “virusi nuk lë pasoja tek imuniteti i njeriut. Shpesh njerëzit ngatërrojnë virusin HIV me këtë virus, por virusi HIV është tjetër gjë. Në këtë rast kemi një virus të ngjashëm me virusin e gripit. Ky virus ashtu si edhe gripi nuk e dëmton sistemin tonë imunitar. Pasi të gjithë ne kemi kaluar grip gjatë jetës tonë dhe nuk është dëmtuar sistemi jonë imunitar. Madje mund të themi se me kontaktin me këtë virus, ashtu si të gjithë viruset e tjerë që transmetohen nga rrugët e frymëmarrjes, siç janë viruset e gripit, ne krijojmë imunitet. Duke rënë në kontakt qelizat e sistemit imunitar tonë me virusin ato krijojnë antitrupa, pra një mbrojtje ndaj këtij virusi, e cila duhet të jetë afatgjatë”, tha mjeku Sulçebe.

Mbi përdorimin e hidroksikorikinës dhe nëse ky medikament ndihmon në goditjen e virusit Sulçebe tha se, ” rezultatet që ne quajmë shkencore, pra që publikohen në revistat shkencore pas një oponence dhe recensimi të kujdesshëm nuk kanë treguar deri tani ndonjë efekt të dukshëm të hidroksikorikinës në trajtimin e infeksionit. Pastaj protokollet kanë qenë të ndryshme për faktin se një medikament duhej të përdorej sa më shpejt dhe jo vetëm në spital”.

Mbi rrezikshmërinë e COVID-19 gjatë kësaj kohe ku duket se shumica e vendeve në botë po hapen gradualisht mjeku Sulçebe theksoi se, “kemi një pandemi dhe nuk mund të them se ky rrezik ka kaluar për arsyen se si në Shqipëri edhe në botë infeksioni është i pranishëm. Pra, ne bashkëjetojmë me të. Nëse ne kemi një numër të caktuar të identifikuar me koronavirus, ekziston shumë herë më tepër individë të infektuar me koronavirus. Virusi nuk ka kaluar, por ne kemi disa gjëra në favor, pasi po vihet re se virusi e ka humbur tashmë agresivitetin dhe një favor tjetër është klima e ngrohtë dhe vera përpara”.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.