Meta uron Fitër Bajramin: Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë

TIRANË, 23 maj/ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë Gëzuar Fitër Bajramin!

“Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor”, shprehet Meta.

“Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat”, tha Meta.

“Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive”, është shprehur Meta.

“Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”, ka theksuar Meta.

“Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë. Zoti ua pranoftë agjërimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit! Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi! Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen”, ka shtuar Meta.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.