Kampionati francez nis më 22 gusht

TIRANË, 23 maj/ATSH/ -“Ligue 1” ishte kampionati i parë europian që vendosi të mbyllë përfundimisht sezonin dhe tani mund të jetë i pari që do të rinisë 2020-2021.

Federata Franceze e Futbollit, pasi u konsultua me transmetuesit televizivë, ka vendosur që kampionati francez për sezonin e ardhshëm të nisë më 22 gusht. Ndërsa Ligue 2 do të ngrejë siparin vetëm një ditë më pas, pra më 23 gusht.

Në këtë pikë, mungon vetëm miratimi i UEFA-s, që duhet të caktojë datat për të përfunduar Champions League dhe Europa League.

Kujtojmë që Franca ka dy skuadra që marrin pjesë në Kupat e Europës, pikërisht në Champions, PSG-në dhe Lyonin. Problemi i këtyre skuadrave është se nuk do të jenë në aktivitet kur të përballen me rivalët e tjerë europianë, duke qenë se Ligue 1 është mbyllur përfundimisht.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.