Fitër Bajrami nuk do falet në xhamitë e Kosovës/ Myftiu Tërnava: Festoni në shtëpitë tuaja, shmangni vizitat tek familjarët

PRISHTINË, 23 maj/ATSH/ Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i drejtoi sot një mesazh urimi besimtarëve myslimanë për Fitër Bajramin, duke theksuar se “për shkak të pandemisë COVID-19 nuk do kemi mundësi që të falim namazin e bajramit, prandaj ju ftoj të gjithëve që të ruani karakterin festiv të bajramit në shtëpitë tuaja me familje, pranë të dashurve tuaj si dhe të shmangni vizitat tradicionale që bëhen për Bajram, sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar ende”.

“Ne me veprimet tona dhe disiplinën tonë mund të bëjmë që ky virus të dobësohet dhe sa më parë të shpallim fitoren ndaj kësaj pandemie”,- tha Tërnava.

Më tek myftiu i Kosovës u shpreh se “ky Ramazan për ne si edhe për të gjithë besimtarët e botës qe më I veçantë, ngase siç dihet tash e një kohë po përballemi me virusin COVID-19 që tashmë është në shkallë të pandemisë globale. Për shkak të pandemisë ne myslimanët jemi privuar nga namazet në xhami, kështu që gjatë ramazanit përveç namazeve tjera na ka munguar edhe namazi i teravisë, na kanë munguar vizitat e iftaret te njëri tjetri, mirëpo ne me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë dhe mbrojtjes së jetëve të njerëzve tanë, të gjitha lutjet e nevojshme i kemi kryer në ambientet tona familjare dhe kemi shndërruar shtëpitë tona në xhami”.

“Sipas njohësve të fushës, pandemia po shkon drejt fundit, mirëpo virusi është ende i pranishëm në mesin tonë, andaj na duhet edhe pak durim, edhe pak disiplinë e rregull që të dalim me sa më pak pasoja nga virusi në fjalë”, – tha Tërnava.

Myftiu Tërnava u shpreh se “duke lutur Zotin që të ketë pranuar agjërimin, lutjet  e punët tona të mira, kudo që jeni ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve festën e Fitër Bajramit”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.