Fitër Bajrami/ Basha: Gëzuar festën e madhe të shpresës dhe besimit

TIRANË, 23 maj /ATSH – I. Vata/-Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit”, shprehet Basha në mesazhin e urimit.

“Koha që po kalojmë është plot sprova të mëdha për çdo shqiptar. Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, forca e  besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë.Bashkoj lutjet e mija me të gjithë besimtarët, në veçanti për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi, për ata që lëngojnë e kanë nevojë për dritën në fund të tunelit, për prindërit dhe për fëmijët tanë e për mbarë kombin tonë, me këtë sure me titullin kuptimplotë Shndritja:”Si kur shndrin dielli i mesditës, ashtu dhe natën kur terri bie, Zoti yt nuk të ka braktisur, as zemëruar me ty nuk është. Dhe patjetër çfarë po vjen, Për ty më mirë do të jetë se çfarë po shkon, dhe Zoti duarplot do të jetë me ty, e ti i lumtur”, tha Basha.

“Zoti ju dhëntë begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, përfundoi Basha urimin e tij për festën e Fitër Bajramit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.