Akademiku i njohur: Shqipëria rezultate impresionuese dhe shembull pozitiv për masat e marra në betejën kundër pandemisë

TIRANË, 23 maj/ATSH/ “Shqipëria është një nga shembujt më pozitivë përsa i përket gjendjes së epidemisë”, ka deklaruar në një intervistë  as. Prof. Arjan Durrësi.

Akademiku Arjan Durrësi, i cili është anëtar i Komisionit të Matematikës dhe Informatikës në Akademinë e Shkencave, i specializuar, veç të tjerash, në besueshmërinë e sistemeve të Inteligjencies Artificiale në Indiana University Purdue University Indianapolis, Sh.B.A, ka theksuar se, “Shqipëria është një nga shembujt më pozitivë përsa i përket gjendjes së epidemisë. Ka pak raste të reja në disa zona të kuqe dhe ka shumë zona të gjelbra pa raste fare. Dhe numri i vdekjeve është minimal”.

“Ky rezultat është kombinim i disa faktorëve. Më e rëndësishme, do të thoja, është mbyllja e shpejtë. Nga studimet që janë bërë koha e reagimit ka qenë vendimtare për mbajtjen e epidemisë nën kontroll, uljen e numrit të vdekjeve, etj. Edhe java a dita ka bërë diferencën në mbajtjen e epidemisë. Faktor themelor ka qenë dhe disiplina e popullsisë që ka kuptuar rrezikun dhe i është bindur rregullave te reja. Një meritë të jashtëzakonshme kanë edhe ekipet mjekësore që me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre kanë trajtuar me shumë sukses të sëmurët dhe kanë bërë ndjekjen e kontakteve”, tha akademiku Durrësi.

I pyetur se si duhet vazhduar me tej, Durrësi ka shtuar se, “Shqipëria me këto pak raste, ka shansin ta zhdukë fare virusin dhe epideminë. Është bërë shumë mirë që vendi është ndarë në zona. Të gjelbrat, pa raste, mund të vazhdojnë jetën e punën normalisht, por duke qenë vigjilent nëse del ndonjë rast. Në zonat e kuqe, me testime, ndjekje kontaktesh, por dhe duke mbajtur distancën fizike, maskat, higjienën, shmangien e grumbullimeve, sidomos në mjedise të mbyllura, rastet mund të çohen në zero dhe të mbahen zero. Shumë kujdes do treguar me udhëtimet ndërkombëtare. Një nga arsyet e ritmeve kaq te larta të pandemisë në botë janë fluturimet e shumta. Kjo do të ishte një fitore e madhe dhe do t’i jepte hov të madh ekonomisë. Uroj të mos ketë dehje nga sukseset, sepse virusi nuk është zhdukur, dhe moskujdesja mund të na kthejë në situatën fillestare. Po ashtu, dhe statuskuoja nuk duhet pranuar, vërtet kemi pak raste, por do synuar zero raste, dhe kjo është plotësisht e arritshme me pak mundim, puna me e madhe është bërë. Është sikur të jetë shtëpia në zjarr, flakët, pothuajse, janë shuar, por vazhdojnë në një cep. Nuk besoj se do kishte ndonjë zjarrfikës ta linte flakën. O do shuar fare, o do kthehet të djegë shtëpinë”.

Se çfarë duhet të mësojmë nga kjo pandemi Durrësi tha se,“mendoj që mësimi më i madh nga kjo situatë është ajo që të gjithë e dimë, vlera e shenjtë e jetës njerëzore, dhe që shoqëria duhet të bëjë ç’është e mundur ta mbroje atë. Në Shqipëri u bë zgjedhja e duhur qe me solidaritet të mbroheshin sa më shumë jetë. Kjo epidemi nxori në dukje edhe disa gabime apo dhe dështime kolosale. Gabimi kryesor është mospërgatitja për situate te tilla, megjithëse këmbanat e alarmit nuk kanë munguar. Ndërkohë që kemi të detyruar sigurimin e makinës, apo shtëpisë, shoqëria ishte, pothuajse, e papërgatitur për një epidemi të tillë”.

“Fatkeqësisht, në disa vende u aplikuan teori jo shkencore si ai imunitetit të turmës, term ky i përdorur në kushte kur ka një vaksinë. Pa vaksinë kjo strategji është jo morale, sepse rezulton në një numër të madh vdekjesh, dhe e pakuptimtë se dhe ekonominë nuk e shpëton dot. Ekonomitë nuk i mbyllin apo hapin qeveritë, por konsumatorët. P.sh, në Suedi kanë numër shumë më të lartë vdekjesh në krahasim me fqinjët, por dhe ekonomia u mbyll realisht, megjithëse jo në letër. Dështime të tjera janë modelet e gabuara statistikore që rezultojnë me gabime të mëdha. Po ashtu, vështirësitë në prodhimin e testeve, maskave, apo me teste me gabime. Uroj që mësimet nga kjo situatë të na shërbejnë për të ardhmen”, tha akademiku Durrësi.

Nëse është e domosdoshme apo jo mbajtja maskës gjatë fazës së hapjes Durrësi tha se, “përdorimi i maskave është themelor në këtë fazë të hapjes. Shembullin më të mirë praktik e dha Guvernatori i NY, z. Cuomo. Nga përdorimi i maskave, tha, infektimi i ekipeve mjekësore është i papërfillshëm në krahasim me popullatën. NY është një nga shtetet më të goditura, por që po e shtypin epideminë. Dhe po bëjnë një fushatë shumë të madhe për maskat”.

I pyetur sesi e vlerëson E-grupin që u ngrit pranë akademisë dhe përvojën e mendimeve që u shkëmbyen aty dhe ç’mund të bëhet më shumë në të ardhmen me këtë grup, ai ka theksuar se, “përvoja ime në E-grupin ka qenë shumë e mirë. Nuk e di nëse ndonjë mendim është përdorur në vendimmarrje. Sugjerimi im do të ishte që ky grup të vazhdojë deri sa të zhduket fare virusi. Gjithashtu, kjo përvojë mund të përdoret për probleme të tjera. Akademia mund të krijojë grupe fleksibel për projekte të ndryshme. Komunikimet on-line do ndihmojnë shumë. Eksperienca e epidemisë tregoi që shumë punë mund të bëhen me shumë më tepër efektivitet online. Akademia, mendoj, që mund ta shfrytëzojë këtë eksperiencë dhe shumë punë e aktivitete mund t’i bëjë online. Siç thashë këto grupe mund të jenë fleksibël, edhe të filluar nga vetë anëtarët, dhe duke ftuar bashkëpunëtor. Roli i Akademisë mund të jetë si ombrellë. Sipas rastit, këto grupe mund të prodhojnë rezultate që Akademia mund t’i publikojë, promovojë, e të jenë kontribute të vetë Akademisë”.

Akademia e Shkencave, menjëherë pas shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri, organizoi grupin “Në ndjekje të pandemisë” me mjekë, gjenetistë, ekonomistë, biologë, matematikanë e fizikanë brenda dhe jashtë vendit, anëtarë të Akademisë, dhe përmes komunikimit arriti që të identifikojë disa nga problemet më të rëndësishme të kësaj pandemie. U mundësua, gjithashtu. edhe hartimi i Buletinit Ditor të shfaqjes së pandemisë në botë dhe në vendin tonë. Këta buletine së bashku me grafikët e hartuar sidomos nga prof. Niko Kaçiroti në SHBA  apo Erida Gjini në Portugali, mundësuan edhe parashikimin e përhapjes, infektimit, vdekshmërisë dhe riaftësimit nga ky virus në shifra të përafërta me ato që u vërtetuan në praktikë. Me qenë së kjo fazë është quajtur si bishti i pandemisë, pra ka kaluar pjesa më e vështirë e saj, por jo e gjitha, ne zhvilluam një bisedë më tre profesorët Arjan Durrësi, Alban Ylli dhe Genc Sulçebej të cilat do t’i publikohen në vijim”, bën me dije Akademia e Shkencave.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.