VIDEO/ Aktorja Hoxha për ATSH: Do marrim dhuratë Teatrin e parë Kombëtar në Shqipëri

TIRANË, 22 maj/ ATSH- A. Fortuzi/ Teatri i ri Kombëtar që pritet të ndërtohet nga bashkia e Tiranës do jetë i pari Teatër Kombëtar në vendin tonë dhe do jetë një frymëzim dhe trashëgimi për brezat e ardhshëm.

Luli Hoxha, regjisore dhe aktore, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka theksuar se “është vështirë të klasifikosh Teatrin Kombëtar që u shemb të dielën e shkuar nga Bashkia për t’i hapur rrugë një teatri të ri, si një Teatër Kombëtar”.

Ajo shprehet se teatri që pritet të ndërtohet së shpejti, do jetë i Teatri i parë Kombëtar në Shqipëri.

“Mua mund të më pëlqente një teatër klasik, jo modern, por duke i besuar arkitektit danez, Bjarke Ingel, të mirënjohur në të gjithë botën, nuk mungon asnjë hapësirë që i nevojitet një teatri modern”, – tha Hoxha në intervistën për ATSH.

“Projekti është shumë premtues në hapësirat që ofron. Jam e mendimit se do të marrim si dhuratë Teatrin e parë Kombëtar shqiptar. Nuk e di nëse kemi pasur ndonjë teatër të vjetër kombëtar, por uroj shumë që të ndodhë dhe ta kemi si një trashëgimi për brezat e ardhshëm. Është detyra jonë të jemi qenie politike, por kjo e teatrit nuk duhet të ishte politizuar si situatë, kjo duhet të kishte mbetur një diskutim në të mirë të të ardhmes së teatrit shqiptar”, – theksoi Hoxha për ATSH.

Regjisorja dhe aktorja Hoxha u shpreh se teatri i vjetër nuk ishte konceptuar si i tillë. “Ai nuk arriti kurrë të bëhet një teatër, me ato hapësira dhe kushte që kërkon një teatër. Faktet tregojnë se teatri nuk u ndërtua për një teatër, por një qendër multifunksionale kulturore dhe kjo e bën atë të mos jetë një teatër me ato kushtet dhe parametra që kërkojnë artistët dhe shikuesit. Pavarësisht të gjitha kujtimeve nostalgjike, sepse ai ishte një frymëzim për brezat e rinj, një qëllim për t’u arritur. Por në thelb, ai nuk plotësonte kushtet e parametrave hapësinorë dhe teknikë për të qenë një Teatër Kombëtar. Nëse flasim për detaje është të qesh apo të qash, por janë më pak se minimale kushtet që kishte ai teatër, katastrofike mund të them dhe do të doja të mos i përmendja ato”, – shprehet aktorja në intervistën për ATSH.

“Do doja që shoqëria civile të ishim të gjithë ne, qytetarët, artistët, të gjithë bashkë. Teatri Kombëtar e ka vendin në zemër të kryeqytetit, ku janë dhe të gjitha institucionet e tjera të rëndësishme. Prandaj Teatri Kombëtar të jetë aty ku është, nëse do të doja të rindërtonim atë teatër që ishte dje, sot të rikonstruktuar njëlloj, sërish nuk do kishim kushtet dhe hapësirat e kërkuara sipas parametrave për ta quajtur një Teatër Kombëtar, siç e kanë edhe homologët. Ne kërkojmë një teatër që plotëson kushtet”, – tha Hoxha.

“Unë do doja të bëja dhe një thirrje për ata që mbrojtën idenë e teatrit dhe godinës që ishte dhe të këshilloheshin pak më mirë me ligjin, pasi unë kam pasur pajisjet e mija, veshjet e shfaqjeve të mija dhe nuk arrita t’i marr. Ata patën një sjellje banditeske në këtë drejtim”, – u shpreh Hoxha për ATSH. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.