Sekretari i përgjithshëm i EANA-s: Përgjegjësia më e madhe e medias është në kohë të jashtëzakonshme

TIRANË, 22 maj /ATSH/ – Përgjegjësia më e madhe e medias është në kohë të jashtëzakonshme, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), ku ATSH është anëtare, Alexander Ion Giboi, në një intervistë për revistën e përjavshme analitike azere regionplus.az.

“Media ishte gjithnjë mjeti i duhur për njerëzit sa herë që shfaqet një krizë gjatë historisë. Edhe gjatë kësaj pandemie media ka një rol kryesor për ta mbajtur publikun të informuar në një mënyrë të saktë. Media ka një përgjegjësi të madhe mbi supet e saj në këto kohë, më shumë sesa në kohë të zakonshme”, deklaroi Giboi.

“Besoj se mediet europiane po përballen me një sfidë, me të gjitha vështirësitë financiare që mund të shfaqen gjatë muajve në vijim. Gazetarët janë të vetëdijshëm për rolin e tyre në shoqëri dhe tani më shumë se kurrë shoh profesionistë shumë të përkushtuar që ofrojnë një pasqyrë jashtëzakonisht të vlefshme për publikun e tyre”, theksoi ai.

”Kjo shërben edhe kur ju punoni nga shtëpia, siç është rasti për shembull i kolegëve të mi të agjencive të lajmeve që janë anëtare të Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA)”, deklaroi Giboi.

“Ne jemi spektatorë të betejës mes lajmeve të rreme dhe së vërtetës. Dhe, për fat të keq, kjo do të jetë një luftë e gjatë, për mendimin tim. Gjithashtu për fat të keq, gjatë kësaj pandemie, nivelet e përpjekjeve për dezinformim kanë arritur kulme si kurrë më parë. Dhe kjo mund të ketë një efekt të tmerrshëm në shoqëritë tona, por unë gjithashtu mendoj se publiku po bëhet gjithnjë e më selektiv për lajmet që konsumon”, shtoi ai.

”Mendoj se është detyra e të gjithëve, në një masë më të madhe ose më të vogël, për të kundërshtuar dezinformimin. Ne të gjithë mund të luajmë rolin tonë në bërjen e lajmeve më të besueshme, duke zgjedhur në mënyrë aktive burimet tona dhe duke denoncuar falsifikimet”, theksoi Giboi.
”Nga përvoja ime, si shembull, agjencitë e lajmeve luajnë një rol të madh në këtë luftë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), Alexander Ion Giboi  në një intervistë për revistën e përjavshme analitike azere regionplus.az.

Në Aleancën Europiane të Agjencive të Lajmeve bëjnë pjesë agjenci prestigjioze lajmesh të vendeve të Bashkimit Europian. Anëtarë me të drejta të plota janë AFP, ANSA, ATSH, AA, ANA, ANA-MPA, APA, BELGA, BTA, HINA, CAN, CTK, ANP, FENA, STT, DPA, MTI, SDA, LUSA, NTB, PA Media, PAP, Ritzau, Agerpres, TASS, TASR, STA, EFE, Azertac, TANJUG, TT dhe Ukrinform.

Në Asamblenë e Përgjithshme për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit drejtues, të zhvilluar në shtator të një viti më parë në Pragë, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi u zgjodh anëtare e bordit drejtues të Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve, (EANA) ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.

Zgjedhja e drejtoreshës së Përgjithshme të ATSH-së në bordin drejtues të EANA-s është ndër rastet e pakta kur në këtë bord janë zgjedhur përfaqësues nga vende jo anëtare të Bashkimit Europian.

Pjesë e bordit të EANA-s, janë edhe Peter Kropsch, drejtor ekzekutiv i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, president i EANA-s, sekretari i përgjithshëm, Alexandru Ion Giboi, Jiri Majstr, drejtori i përgjithshëm i agjencisë çeke të lajmeve, CTK dhe Clive Marshall, drejtor i përgjithshëm i agjencisë britanike të lajmeve, Press Association.

EANA, e themeluar më 21 gusht të vitit 1956, është platformë profesionale që shërben për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve midis agjencive europiane të lajmeve duke organizuar çdo vit konferenca për të diskutuar problemet dhe perspektivat e ardhshme./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.