Reforma Zgjedhore/ Gjylameti: Dakordësi për pjesën më të madhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për menaxhimin e procesit zgjedhor

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi se Reforma Zgjedhore është një kusht, i cili do të duhet të përmbushet, sepse të gjithë presim të kemi një vendim pozitiv për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Gjatë një bisede në një nga studio televizive, Gjylameti tha se opozitës jashtëparlamentare iu krijua mundësia të kishte të drejtë vote, jo vetëm për të shprehur mendimin e tyre, por mbi të gjitha në fund të ditës për të kontribuuar, pasi s’ka patur asnjëherë një reformë zgjedhore që nuk është miratuar me konsensus.

Gjylameti u shpreh se mesazhet e ambasadores së SHBA-së, Kim ditën e sotme për lojëra politike për të vonuar reformat, kanë të bëjnë me atë se çfarë ka ndodhur, të krijimit të kauzës politike që nuk të bëjnë fare me reformën zgjedhore.

Reforma zgjedhore, tha Gjylameti, është një kusht, i cili do të duhet të përmbushet, sepse të gjithë presim të kemi një vendim pozitiv për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Nga ana e maxhorancës ka patur vazhdimisht këmbëngulje për të ftuar opozitën për të qenë pjesë e tryezës së Këshillit Politik, jo vetëm për rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilat janë reflektuar në draftin e Kodit Zgjedhor, por mbi të gjitha për të gjitha ato garanci që opozita jashtëparlamentare dhe ajo parlamentare kërkon për të patur një proces sa më transparent, e mbi të gjitha të kemi rezultate zgjedhjesh të gjithëpranuara”, deklaroi deputetja socialiste.

E pyetur se në ç’pikë është tryeza e Këshillit Politik, Gjylameti tha se ishte arritur dakordësi për një sërë çështjesh.

“Rekomandimet e OSBE/ODIHR që kanë të bëjnë me menaxhimin e procesit në pjesën më të madhe kanë gjetur dakordësi. Për disa çështje të mprehta pritet të vijnë propozimet e opozitës jashtëparlamrntare që kanë të bëjnë me depolitizimin e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet. Flasim për depolitizim që nga KQZ, ku propozimi i opozitës nuk ka ardhur ende, flitet për çështje që kanë të bëjnë me Kolegjin Zgjedhor dhe po ashtu me financimin e partive politike e për çështje që kanë të bçjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-t”, deklaroi Gjylameti.

Lidhur me sistemin, Gjylameti u shpreh se është një çështje që të gjitha palët duhet të kenë kohën e duhur për të arritur, jo vetëm të kenë konsensus, por mbi të gjtha të kenë edhe një konsultim të gjerë publik.

“Çështja e sistemit është një çështje që nuk zgjidhet me disa ditë. Mbi të gjitha po të shikojmë që jemi vetëm një vit larg zgjedhjeve të përgjithshme, duhet edhe koha e mjaftueshme, jo vetëm për të diskutuar për të arritur të kemi një sistem, i cili të ketë konsensusin e të gjithë aktorëve politike, por mbi të gjitha të gjejmë një sistem që nuk anatemohet më pas”, tha Gjylameti.

Në vendin tonë anatemimi, tha ajo, ka ndodhur lidhur me menaxhimin e procesit zgjedhor dhe mungesën e besimit kryesisht nga pala që humbet zgjedhjet dhe jo me sistemin zgjedhor./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.