Policia e Shtetit është sjellë në mënyrë proporcionale sipas protokolleve për një protestë të palajmëruar

TIRANË, 22 maj/ATSH – A. Fortuzi/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha sot gjatë një interviste televizive se Policia e Shtetit ka zbatuar ligjin gjatë ndërhyrjes për largimin e protestuesve ditën e shembjes së godinës së teatrit.

Lleshaj tha se ndërhyrja në teatër ka ardhur pas vlerësimit të riskut, duke parë dhe artikulimin publik me nota agresive të organizatorëve të protestës që kishin okupuar objektin.

“Unë dhe gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Shtetit identifikohemi me atë që ndodh në terren. Kjo na sjell kosto, na sjell konsum. Ka punonjës policie që cedojnë dhe ne duhet të mbajmë këto kosto përsipër”, – tha Lleshaj.

“Atë ditë nuk kam qenë as në Tiranë”, u shpreh Lleshaj në përgjigje të pyetjes se ku ndodhej në kohën e ndërhyrjes. “Unë them që Policia Shtetit është sjellë në mënyrë proporcionale sipas protokolleve që kërkohet nga policia për një protestë të palajmëruar që u shoqërua dhe me akte dhune ndaj policisë”, – shtoi Lleshaj.

“Pse nuk e përmendni emrin e punonjësit të policisë që u qep në spital pasi u plagos, jo një, por shtatë të tillë”, tha Lleshaj i pyetur për ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve.

“Por duhet të dini se policët kanë më shumë të drejta se protestuesit. Punonjësit kanë shkuar të urdhëruar dhe zbatojnë urdhrin dhe nëse nuk shkojnë duhet të largohen nga detyra. Njerëzit e shtypit kanë një mision për të bërë lajmin, jo për të ushtruar dhunë. Dhuna është monopol i shtetit, që ka të drejtë ta bëjë në mënyrë të ligjshme atë. Kushdo tjetër që ngre dorën është në kapërcim ligji. Punonjësi i Policisë ka për detyrë të ushtrojë dhunë në dobi publike”, – tha Lleshaj.

“Jemi në fazën e foshnjërisë politike në demokraci. Dhuna nuk është opcion dhe duhet të heqim dorë. Politikanët e nivelit të lartë e përdorin shpesh, në artikulimin e tyre publik dhunën si mungesë alternative dhe argumenti. Ne duhet ta heqim nga artikulimi dhe përdorimi i dhunës”, – tha Lleshaj.

“ Po t’i rrimë strikt ligjit, policia do kishte vepruar më përpara. Nuk i lejonte fare njerëzit të mblidhen, pasi nuk lejohet tubimi dhe po ashtu ishte dhe pandemia, pra mund të kishte mënjanuar grumbullimin. Policia mund të kishte pajisje mbrojtëse nëse do pritej dhunë, pasi nuk pritej dhe nuk kërkonim të provokonim dhunë. Në vende të tjera, punonjës të policisë vijnë jo vetëm të veshur me masa mbrojtëse, por dhe të armatosur”, – tha Lleshaj.

“Gazetari Lela ka qenë aty nuk e di në çfarë statusi, por ka ndërhyrë në një moment kur tri punonjëse policie femra po përpiqeshin të ndalonin një protestuese femër. Policia shqiptare po përpiqet ta realizojë këtë për etikë të shtuar. Nuk i shkonte për etikë, një mashkulli, gazetari… etj., të ndërhynte me dorë ndaj punonjësve femra që ishin aty, gjë që e ka bërë provokimin edhe më të madh në sytë e punonjësve meshkuj të policisë”, – tha Lleshaj.

“Ne na bën bashkë ligji, Kushtetuta dhe kundërshtimi i punonjësit të policisë është vepër penale. Tani, nëse ti merr përsipër të kryesh një vepër që Kodi Penal e sheh të tillë, duhet të jesh i gatshëm dhe për konsekuencat e tij. Këtu është krijuar një traditë që polici mund të rrihet, bëhet objekt anekdotash, është krijuar një perceptim, që këta që e ndiejnë veten përtej ligjit, mbi ligj, anash ligjit apo tjetër, apo vetë ligji, i duket vetja sikur nuk duhet farë të merren me policinë, por ky person, apo grup personash duhet të jenë të parët që gjobiten dhe penalizohen”, – tha Lleshaj.

“Policia vepron me iniciativë ose kërkesë. Objekti publik në fjalë ka një zot, administrator. Më datë 17 maj u kërkua ndërhyrja e policisë. Po të ishte kërkuar më parë do ndërhynte më parë. Duhet dikush ta konstatojë paligjshmërinë”, – tha Lleshaj.

“Është e ligjshme që policia të mos ketë numër identiteti. Jo çdo polici e përdor. Sot takova një numër të konsideruar të punonjësve të “Frontex” të kufirit tonë. Të vetmit që kishin numra ishin policët shqiptarë. Asnjëri nga punonjësit e huaj nuk e kishte. Policia kur vepron në mënyrë të strukturuar, e ka identitetin të barabartë me atë të drejtuesit të tyre. Ju kërkoj që të bëni dy-tri minuta kërkim në internet të një proteste të dhunshme në Itali dhe do shikoni që janë pa numra punonjësit e policisë atje”, – tha Lleshaj.

“Në dijeninë time, punonjësit e Policisë nuk kanë qenë të armatosur. Ndërhyrja në objekt ka qenë një ndërhyrje e lidhur me një analizë risku, pasi në artikulime kemi pasur dhe përdorimin e dhunës prezent. Policia ka pasur dijeni se mund të kishte elementë të cilët mund të sillnin risk ndaj policisë, duke parë dhe artikulimin verbal të protagonistëve të kësaj situate. Është folur dhe për gjakderdhje dhe policia ka patur drojen se mund të kishte një reagim të ashpër dhe ka vepruar në mënyrë të detajuar. Nuk e di çfarë mjetesh janë përdorur, por kanë qenë të pajisur për të kontrolluar çdo eventualitet, apo konflikt, besoj se ka patur dhe qen që kanë kontrolluar për eksploziv. Kur bëhen ndërhyrje të tilla duhet kontrolluar për shumë rreziqe”, – tha Lleshaj.

“Unë s’kam parë armë, s’di që është e ndaluar. As ato armë që janë të detyruar t’i kenë si shkopa gome, ata as ato s’i kanë pasur me vete. Nuk kanë pasur as atë armë që ua jep ligji dhe jo më të marrin armë që s’ua lejon ligji”, tha Lleshaj.

Në lidhje me pyetjen për politizim të policisë, Lleshaj theksoi se në një vit e gjysmë që është Ministër i Brendshëm mund të kenë emëruar tre vetë gjithsej, që mund të jenë promovuar.

“Mbi 90% është policia e vitit 2011. Ndryshimi që mund të konstatoni është nivel tjetër, respekti për pavarësinë e tyre për të vepruar. Unë nuk i përzihem në veprimet e tyre. Nuk lejon ligji që unë të përfshihem në veprimet operacionale. Është Shërbimi i Ankesave dhe Kontrollit të Brendshëm dhe për ankesat dhe për rastet që flasim kanë nisur hetimet e veta, pasi nuk presupozohet se janë engjëj punonjësit e policisë. Jam i hapur dhe inkurajoj këdo që ndihet i trajtuar jo në mënyrë profesionale, apo jo siç e ka ligji, të trokasë tek ankesat”, – tha Lleshaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.