Plani Strategjik i Kuvendit/ Konsultime me të rinjtë dhe shoqërinë civile

TIRANË, 22 maj/ ATSH- A. Fortuzi/ OSBE njofton se vijojnë konsultimet për Planin e parë Strategjik në historinë e parlamentit – këtë radhë me të rinj dhe shoqërinë civile.

“Mbështetur në përvojën e tyre si ndihmës të deputetëve dhe në punën në administratën e Kuvendit, praktikantët e rinj në Kuvend bënë sugjerime konkrete për rolin përfaqësues dhe legjislativ të deputetëve, transparencën parlamentare dhe rolin e Kuvendit në procesin e integrimit”, njoftoi OSBE.

“Sugjerimet e shoqërisë civile u përqendruan në fusha me përparësi të Planit Strategjik, si edhe në nevojën për mbështetjen e tij me një plan veprimi konkret e objektiv, dhe me burime financiare të mjaftueshme, që do të bënin të mundur zbatimin e tij. Ata vlerësuan procesin e gjerë dhe gjithëpërfshirës të konsultimeve dhe bënë apel që e njëjta praktikë të ndiqet nga Kuvendi në konsultimet e projektligjeve”, vijon njoftimi.

“Këto takime u organizuan së bashku me Kuvendin dhe Institutin Demokratik Amerikan (NDI), si pjesë e projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin shoqëror në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së dhe NDI, me mbështetjen e qeverisë zvicerane. Konsultimet do të vijojnë javën e ardhshme me institucionet e pavarura dhe grupin e gazetarëve që mbulon Kuvendin”, njofton OSBE.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.