TIRANË, 22 maj/ATSH/ Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot bashkëbisedim, nëpërmjet një videokonference, me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, zëvendëspresidentin Ekzekutiv, Guy Clausse, Sekretaren e Përgjithshme, Sneska Quaedvlieg-Michailovic dhe anëtarin e bordit, Profesor Paolo Vitti.
Presidenti Meta i falenderoi për angazhimin dhe vëmendjen që “Europa Nostra” ka treguar ndaj promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë.
Duke u ndalur në çështjen e Teatrit Kombëtar, presidenti Meta e falenderoi “Europa Nostra” për mbështetjen krah “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” në mbrojtje të këtij kompleksi dhe gjithë zonës historike të Tiranës.
Presidenti Meta theksoi se “shembja e paligjshme e Teatrit Kombëtar është çështje kushtetuese, e trashëgimisë historike dhe identitetit kombëtar, tashmë edhe një çështje europiane”.
Në këtë kontekst u ra dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar mbi këtë çështje dhe informimin e mëtejshëm të niveleve më të larta europiane.
“Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet. Teatri Kombëtar ishte dëshmori i parë i bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, por demokracia dhe kultura europiane do fitojë”, – u shpreh ndër të tjera anëtari i bordit të “Europa Nostra”, profesor Paolo Vitti.
“Nga sot më konsideroni edhe mua anëtarin më të ri të ‘Europa Nostra'”, – u shpreh Presidenti Meta. /j.p/r.e/