Margariti: Për teatrin u dialogua gjatë, por radhët e artistëve ziheshin gjithnjë e më shumë nga figura që lidheshin me politikën

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se për projektin e Teatrit Kombëtar është dialoguar për një kohë të gjatë me artistët, por çështja u politizua.

“Pyetja që duhet të shtrohet është: a u kthye kjo në një çështje politike, apo mbeti një çështje artistësh? Radhët e atyre artistëve apo aktorëve që pretenduan të kishin teatrin e tyre, në momentin që arritën të kishin të gjitha përgjigjet e pikëpyetjeve të tyre, ziheshin gjithnjë e më shumë nga figura që lidheshin me politikën”, tha Margariti.

Sipas saj, le gjithmonë shije të keqe, kur arti e kultura përdoren politikisht.

E pyetur për konfrontimin në ditën e shembjes së Teatrit, ministrja theksoi se ai erdhi për shkak se godina po mbahej e uzurpuar për më shumë se dy vite.

“Teatri ishte një pronë publike, por nuk po jetonte si e tillë, pasi kishte aktivitete artistike, sipas personave që e kishin uzurpuar, por nuk ishte i hapur për publikun”, deklaroi ministrja.

Ministrja theksoi se është arritur të nxirren rekuizitat dhe dokumentacioni, por për të parë nëse është i plotë, po bëhet inventari.

“Në muajin korrik të vitit të kaluar punonjësit e teatrit shkuan të merrnin materialet në ambientet tona, por u përballën me dhunën e personave që po e mbanin të uzurpuar. Ne po kryejmë inventarin, i cili është një proces i gjatë inventarizimi, pasi lidhet edhe me gjendjen fizike të materialeve”, tha ministrja.

Më tej, ajo bëri të ditur se restaurimi i Teatrit ishte i pamundur, pasi kërkohej zëvendësim total i materialeve.

“Nuk ishte një material që restaurohej dhe mbi të gjitha edhe nëse do të kishim bërë këtë restaurim do të tjetërsohej, pra do ta kishim ruajtur vetëm në volum, ndërsa nuk do të garantonte një sërë normativash bashkëkohore që çdo objekt publik duhet të ketë. Janë bërë një sërë analizash. Ka patur një sërë vizita ekspertësh”, u shpreh ajo. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.