Korçë/ Terminali i autobusëve vendos standard të ri për transportin e pasagjerëve

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Terminali i ri i autobusëve që do të ndërtohet në qytetin e Korçës pritet të ketë një ndikim pozitiv në shërbimin për qytetarët dhe të lehtësojë lëvizjen e tyre.

Bashkia e Korçës publikoi sot foto të projektit, ndërsa bëri të ditur se terminali i autobusëve është një projekt madhor i cili vendos një standard të ri për transportin e udhëtarëve.

“Një model bashkëkohor, me kushtet më të mira për mjetet dhe udhëtarët që i jep zgjidhje përfundimtare problemit të qëndrimit dhe shmang krijimin e trafikut në qytet”, bën të ditur bashkia.

Projekti i terminalit të ri, është i integruar me planin e ri urban të qytetit të Korçës. Ndërtimi i këtij terminali do të ndihmojë në shpërndarjen e saktë të fluksit të autobusëve dhe të taksive, të cilat do të stacionohen aty pranë, duke evituar kalimin brenda në qytet.

I pozicionuar në pjesën veriperëndimore të qytetit terminali i ri ndodhet në një pozicion të favorshëm, pasi garanton lidhjen e qytetit të Korçës me kryeqytetin si dhe prek kryqëzimin me fluksin më të lartë të lëvizjeve automobilistike. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.