ITALI – Ministria e Trashëgimisë Kulturore: “San Siro” mund të shembet, nuk ka më interes kulturor

MILANO, 22 maj /ATSH/ – “Stadiumi ‘San Siro’ nuk paraqet më asnjë interes kulturor dhe si i tillë përjashtohet nga dispozitat e mbrojtjes”, ishte përgjigjja që Ministria italiane e Trashëgimisë Kulturore i dha bashkisë së Milanos, që nëntorin e kaluar kërkoi të verifikohej nëse ekzistonte ndonjë interes kulturor për stadiumin e qytetit, duke parë mundësinë e shembjes për shkak të projektit të stadiumit të ri të “Inter”-it të Milanos, njofton notizie.it.

Për departamentin përgjegjës në këtë ministri, stadiumi “San Siro” nuk ka më asnjë interes kulturor dhe për këtë arsye ai mund të shembet.

Sipas asaj që lexohet në dokument “mbijetesa e fazës fillestare të ndërtimit, gjatë viteve 1925-1926 dhe ajo e zgjerimit, e viteve 1937-1939 janë plotësisht të lidhura me ndërhyrjet pasuese të adaptimit dhe zgjerimit, të kryera në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe për këtë arsye nuk u nënshtrohen dispozitave, sepse datojnë më pak se 70 vjet më parë”.

Për më tepër, “shtresëzimet, rregullimet dhe shtesat e bëjnë stadiumin një vepër të njohur nga ndërhyrjet e viteve 1953-1955, përveç atyre të viteve 1989-1990, si dhe nga ato pasuese të vitit 2000, për më tepër i një arkitekture që i nënshtrohet një transformimi të vazhdueshëm, bazuar në nevoja që lidhen me përdorimin publik dhe sigurinë dhe përshtatjeve të ndryshme specifike për qëllimin e saj si një arenë futbolli dhe argëtimi publik”./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.