Fundjava me të njëjtin kufizim lëvizjeje/ Të shtunën vetëm dyqanet e farmacitë hapur, fasha orare deri në 10:30 për të moshuarit

TIRANË, 22 maj/ ATSH- A. Fortuzi/ Kjo fundjavë do të ketë rregullat kufizuese sikundër fundjava e fundit, ndërsa vijon faza e hapjes në kushtet e pandemisë.

Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e sotme se edhe këtë fundjavë do ndiqet regjimi i orareve dhe i lëvizjeve të përcaktuara fundjavën e shkuar.

“Kjo fundjavë do të vijojë njësoj si e shkuara, ta kaloni sa më qetë”, theksoi Rama.

Kështu do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë dhe dalja e këmbësorëve do të bëhet me dy fasha: Deri në orën 10:30 vetëm pensionistët dhe nga ora 10:30 deri në 17:30 prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç.

Duke iu referuar fundjavës së shkuar, të shtunën, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10:30. Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare. Të shtunën dhe të dielën prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 10:30 deri në orën 17.30.

Të shtunën qëndrojnë hapur vetëm marketet dhe farmacitë deri në orën 17:30, ndërsa të dielën gjithçka është e mbyllur. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.