COVID-19/ Ismaili: Masat e marra në burgje, efikase dhe të suksesshme

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili i cilësoi sot masat e marra në burgje në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19 si “efikase dhe të suksesshme”.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisioni për Sigurinë Kombëtare, online.

Dëgjesa e sotme me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve,  kishte të bënte  me informimin  për situatën në burgje, gjatë  situatës  së  pandemisë si dhe masat e marra në zbatim të aktit normativ me fuqinë e ligjit Nr. 7 datë 23.03.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”.

Lidhur me këto masa, në fjalën e tij Ismaili, i vlerësoi ato si efikase dhe të suksesshme , pavarësisht vështirësisë për menaxhimin e situatës, për shkak të mënyrës së bashkëjetesës në ambientet e burgut.

“Në lidhje me aktin normativ Nr. 7 datë 23.03. 2020 për qëndrimin e përkohshëm  në shtëpi të të burgosurve, kriteret ishin qartësisht të përcaktuara, të  ndara  dy kategori: ato që kishin të bënin me kohën e mbetur të dënimit dhe veprën penale për të cilën  janë dënuar. Nga përllogaritjet tona këto kritere i plotësonin rreth 570 të dënuar”, theksoi Ismaili në fjalën e tij.

Në vijim Ismaili iu përgjigj pyetjeve të shumta dhe interesimit të anëtarëve të komisionit lidhur me procesin e shoqërimit të të burgosurve në banesa, kthimin më pas në ambientet e burgut, bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, masave të marra për dezinfektimin e ambienteve si dhe problematika të tjera të krijuara gjatë situatës së pandemisë në burgje.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës WEBEX.

/gj.mima//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.