Basha: Gjithçka për t’u dhënë shqiptarëve garanci për votë të lirë

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Partia Demokratike është e gatshme të ndryshojë sistemin zgjedhor.

Qëndrimi u shpreh sot nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një interviste televizive. “Ka një keqkuptim që tryeza mund të arrijë konsensus për sistemin. Edi Rama nuk do ndryshim sistemi”, – tha Basha.

“Po, absolutisht e duam ndryshimin e sistemit. E kam bërë publike që në janar, që unë jam për një sistem mazhoritar me dy dhoma duke ruajtur të njëjtin numër legjislatorësh, 100 deputetë dhe 40 senatorë, por duke i dhënë mundësinë popullit që të ketë dy dhoma për të kontrolluar qeverinë dhe duke i dhënë qeverisë detyrimin për të kaluar në dy nivele para se të marrë vendime të tilla, siç ka marrë ky që i ka falur gjysmën e Shqipërisë, bregdetin, naftën, minierat, një grushti njerëzish”, – theksoi Basha.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të plotësuar ato rekomandime të OSBE/ODIHR dhe ato garanci që ne t’i ofrojmë shqiptarëve. Natyrisht shumica prej këtyre garancive kërkojnë vullnet politik dhe propozimi ynë për vullnet politik njihet prej kohësh: qeveria tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve. Por detyra jonë nuk ndalon vetëm këtu, ne kemi nisur tashmë punën anë e mbanë Shqipërisë, pavarësisht që nuk është bërë me tam-tame, për të mobilizuar bashkimin më të madh të shqiptarëve jo vetëm thjesht për ta shporrur me votë këtë regjim, se është regjim tashmë, por edhe për të garantuar një sistem të mbrojtjes së votës i cili do t’i përgjigjet ashtu siç e meriton çdo mekanizmi ekstrapolitik që Edi Rama do të vërë në lëvizje”, – tha Basha.

“Nëse ka zgjedhje të lira e të ndershme opozita e bashkuar është krejtësisht konfidente në një fitore të thellë kundër këtij regjimi. Dhe ajo që është sfida jonë është menaxhimi i pritshmërive të shqiptarëve për t’i nxjerrë nga kjo krizë e thellë në veçanti ekonomike sepse në këtë moment që flasim ky është preokupimi kryesor i çdo familje shqiptare dhe s’mund të jetë gjë tjetër, veçse preokupimi kryesor i imi gjithashtu”, – shtoi kreu i PD.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.