150 milionë euro fondi i garancisë për kreditimin e fermerëve

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, u shpreh sot se qeveria ka vënë në dispozicion të fermerëve instrumente për nxitjen e kreditimit të bujqësisë.

Gjatë një takimi sot me fermerë në Lundër të Tiranës, Krifca tha se, “aksesi në financim është një nga çështjet kryesore  për investimet në bujqësi. Është ende i vështirë kreditimi i bujqësisë nga bankat, pasi konsiderohet një sektor me risk të lartë. Ndaj shteti në 2015, krijoi fondin e garancisë me 150 milionë euro financim i qeverisë shqiptare dhe BERZH, për të mundësuar financimin e fermerëve”.

“Shteti pra del garant në bankë që fermeri të kreditohet. Ky është një mekanizëm dhe instrument i rëndësishëm në dispozicion të fermerëve. Janë 6 banka që e ofrojnë këtë produkt dhe një institucion mikrofinanciar. Për këtë çështje, ju mund të informoheni tek Agropika e cila ju ndihmon si të veproni”, – theksoi ajo.

“Krahas kësaj, tha Krifca, ne kemi arritur që kontrata që fermeri ka me AZHBR-në, t’i shërbejë bankës si garanci për kreditim, duke mos i kërkuar kolateral shtesë fermerit dhe duke i dhënë mundësinë ta përfitojë këtë financim”.

Shteti kërkon që këto financime të merren nga fermerët, deklaroi Krifca. e.xh/ j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.