Veliaj: Kritikat i kemi sport kombëtar, në 108 vjet nuk ndërtuam kurrë vetë një Teatër Kombëtar

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Për herë të parë në 108 vite shtet Shqipëria do të ketë shansin që të ndërtojë një Teatër Kombëtar vetë.

Gjatë një interviste për një nga televizionet në Kosovë, kryebashkiaku Veliaj theksoi se kërkesa për një teatër të ri është e hershme dhe se godina e vjetër ka qenë vetëm një objekt me jetëgjatësi 15 vjet i ndërtuar nga italianët për argëtimin e ushtarëve të tyre.

“Është, ta pranojmë, jemi tanët, pra mund të flasim si në shtëpi se s’po flasim me të huajt, po flasim me vëllezër e motra. E kemi pak sport kombëtar thashethemin, lajmin e rremë, me e linçu dikë, me i gjujt pas shpine, me thënë fjalën e fundit, pa e pyetur. Kjo është hera ime e parë që pyetem në një televizion nga Kosova. E ndërkohë kam dëgjuar vëllezër e motra që s’ janë kursyer në mallkime e sharje dhe kur i pyesin, po ti a ke qenë ndonjëherë në Tiranë? – Jo, s’kam qenë! Po në teatër? Jo, por përderisa s’kam qenë në Tiranë, s’kam qenë as në teatër. Tani, të themi disa të vërteta të rëndësishme, kush më ka sharë, kush më ka mallkuar me lloj-lloj, janë të falur. Ajo lidhje që unë e kam me Kosovën nuk shlyhet kurrë me disa njerëz që prej një ngacmimi a politik apo thashethemi a organika a nuk e di si më vjen e kanë lëshuar gojën dhe e kanë gjuajtur një gur përpara se ta mendojnë. Të themi faktet: Ne mund të kemi opinionet e ndryshme, por nuk mund të kemi faktet e ndryshme. Fakti është ky: Kombi shqiptar në 108 vite pavarësi nuk e ka ndërtuar kurrë vetë një teatër kombëtar, ama kombi italian që na ka pushtuar e ka ndërtuar një kazermë për t’i argëtuar ushtarët e vet gjatë viteve të pushtimit dhe ata kanë menduar pa e ditur kur po mbaron lufta. Po ua ndërtojmë një ndërtesë provizore, kryesisht për kinema, për bilardo edhe një klub të oficerëve pushtues në Tiranë i cili është menduar për kohën e luftës. Ata s’ kanë menduar që lufta po mbaron, maksimumi për 15 vjet dhe po e ndërtojmë”, tha ai.

I pyetur nëse në truallin e teatrit do të ketë ndërtime të tjera, kryebashkiaku Veliaj sqaroi se mbi atë truall do të ketë vetëm teatër. /z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.