“Të vendosur për ndryshimin e sistemit”/Hajdari thirrje opozitë jo parlamentare: Mos braktisni tryezën për Reformën Zgjedhore

TIRANË, 21 maj /ATSH – I. Vata/ Deputetja e opozitës parlamentare, bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari tha sot në Kuvend se “jemi të vendosur të ndryshojmë sistemin zgjedhor”, ndërsa i bëri thirrje opozitës joparlamentare të mos e braktisë tryezën e Këshillit Politik.

Në fjalën e saj, Hajdari tha se “Reforma Zgjedhore është detyrimi më kryesor i Shqipërisë në këto momente. Është një detyrim kombëtar sepse ne i detyrohemi gjeneratës të re që të shkojmë aty ku kemi dashur të shkojmë këto 30 vitet e fundit, pikërisht në gjirin e BE-së”.

“Duhet që patjetër ta përfundojmë këtë reformë zgjedhore jo vetëm për BE, por për qytetarët shqiptarë që më në fund të kenë të drejtën e tyre për t’i rikthyer parlamentit sovranitetin që i mungon. Nëse ne nuk ndryshojmë sistemin zgjedhor e kemi të pamundur që të ndryshojmë një Shqipëri e cila është fundosur në mënyrë flagrante, është vjedhur në mënyrë flagrante sepse politika ka marrë peng këtë vend për vite me radhë”, tha ajo.

Ajo shtoi se “ne si opozita parlamentarë kërkojmë ndryshimin e sistemit zgjedhor, që këtu të vijë dinjiteti njerëzor parlamentarë si deputetë, mos të vijmë këtu e të bëjmë evokimin e kryetarëve të partive. Enver Hoxha ka vdekur në ’85, çfarë po bëjmë ne sot? Sot nuk del askush nga deputetët të mbrojë teatrin, se ju mban me litar prej fyti kryetari i partisë tuaj.”

Po ashtu, Hajdari tha se “Ambasada amerikane bashkë me ndërkombëtarët janë duke çuar këta ide përpara. Këtu duhet ndryshim sistemi sepse politika e vjetër e ka marrë peng këtë vend dhe ne duam shpresë në këtë vend. Prandaj i bëjë thirrje opozitës jashtëparlamentare mos e braktisni atë tryezë të Reformën Zgjedhore”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.