Të dënuar për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje/ OFL kërkesë për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre shtetasve në Tiranë

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Operacioni Forca e Ligjit në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre shtetasve.

Kërkesat i janë nisur D. L., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim; T. N., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, “Kundërshtim i punonjësit të Rendit Publik” dhe “Shkatërrim prone” dhe M. I., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vjedhja me armë” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”, thekson OFL.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.