“Shpëtohen rreth 100 milionë vende pune në turizëm”/ Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë propozon korridor rajonal udhëtimi

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Ines Muçostepa ka bërë të ditur propozimin që i është bërë në 18 maj, 6 kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar atë që quhet një korridor rajonal udhëtimi.

Këto korridore ose të quajtura “flluska udhëtimi” bëjnë që mes vendeve të marrëveshjes të hiqet masa e karantimit 14-ditor dhe udhëtarët të lëvizin lirshëm ndërmjet kufijve.

Në një njoftim për shtyp, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, citon se “Forumi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor- WB6 CIF, në të cilën Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, është një nga gjashtë dhomat anëtare, ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e një korridori rajonal udhëtimi, të quajtur “flluskë udhëtimi”.

Turizmi është një ndër sektorët prioritarë për rajonin, e në veçanti edhe për vendin tonë, si edhe gjithashtu një nga sektorët që u godit më tepër nga pandemia e COVID-19.
Duke marrë në konsideratë rezultatin pozitiv të masave shëndetësore të ndërmarra, Forumi i Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor propozon të shikohet mundësia për të mundësuar hapjen e kufijve midis vendeve të Ballkanit Perëndimor për të krijuar korridore rajonale udhëtimi “flluska udhëtimi”, gjë e cila do të ishte një stimul i rëndësishëm për sipërmarrjet rajonale të turizmit, do t’i ndihmonte ata të shpëtonin nga falimentimi, si edhe do të ndalonte humbjen e shumë vendeve të punës që lidhen drejtpërdrejtë me këtë sektor.
Për sa më sipër, Ines Muҫostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë së bashku me presidentin e bordit manaxhues të Forumit të Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor, Marko Cadez i drejtojnë Kryeministrit Edi Rama, si dhe shkresën zyrtare që presidenti i bordit manaxhues të Forumit të Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor, Marko Cadez u ka drejtuar kryeministrave të të gjashta vendeve të Rajonit.

Një lëvizje e tillë po zbatohet edhe në shumë vende të tjera të Europës, ku në sy bie rasti midis Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Gjithashtu shembuj të tjera kanë dhënë Australia me Zelanda e Re, si edhe Gjermania me fqinjët e saj. Kroacia gjithashtu është një nga vendet që ka hequr izolimin 14-ditor për të gjithë udhëtarët e huaj, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndërsa citohet se, “në letrën drejtuar kryeministrave shpjegohet se kjo masë është e nevojshme për të shpëtuar rreth 100 milionë vende pune në turizëm, që pritet të ndikohen nga kriza e COVID-19, por edhe për t’i dhënë një stimul të ri sipërmarrjeve në këtë sektor. Gjithashtu në të paraqiten tre skenarët ku pritet të hapen kufijtë, ku data më e afërt është në 1 korrik, gjë që do të kishte shumë pasoja ekonomike”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.