LONDËR – Bach: Lojërat Olimpike të Tokios do të anulohen nëse nuk zhvillohen në 2021

LONDËR, 21 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (CIO) Thomas Bach pranoi se Lojërat Olimpike të Tokios, shtyrë me një vit përballë epidemisë së COVID-19, do të anulohen nëse nuk zhvillohen në vitin 2021.

“E kuptoj mirë qëndrimin e partnerëve tanë japonezë”, deklaroi ai në një intervistë për BBC, kur u pyet për deklaratat e kreut të komitetit organizativ, Yoshiro Mori, i cili ishte shprehur në fund të prillit se nëse pandemia vazhdon të jetë e pranishme edhe gjatë verës së ardhshme atëherë Lojërat Olimpike do të duhet të anulohen.

“Ne nuk mund të punësojmë përjetësisht 3 000 apo 5 000 persona në komitetin organizativ”, shtoi Bach.

“Ne nuk mund ta ndryshojmë kalendarin sportiv botëror të të gjitha federatave kryesore. Ne nuk mund t’i lëmë atletët në pasiguri”, argumentoi ai.

Ndërsa përsëriti angazhimin e qartë që Lojërat Olimpike do të zhvillohen në korrikun e ardhshëm”, Thomas Bach pranoi se ne duhet të jemi gati edhe për skenarë të ndryshëm.

Më 24 mars, CIO njoftoi shtyrjen me një vit të Lojërave Olimpike të Tokios, të parashikuara fillimisht më 24 korrik 2020.  Lojërat Olimpike janë programuar tashmë më 28 korrik deri më 8 GUSHT 2021./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.