Gjirokastër/ Zgjidhet problemi i vaditjes për 250 hektarë tokë bujqësore

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Rreth 250 hektarë tokë bujqësore në fshatrat Cepo e Picar të Gjirokastrës do të vaditen pa probleme sot e tutje.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha se “ndërhymë për pastrimin e kanalit kryesor nga Gurra e Picarit në Humelicë, pasi në këtë zonë nuk ishte vënë dorë prej vitesh”.

Golemi u shpreh se “do të sistemojmë dhe vëmë në funksionim edhe kanale të tjera vaditësë në Lunxhëri, Antigone e Lazarat”.

“S’ka gjë më të rëndësishme për zonat rurale sesa infrastruktura për tokën bujqësore. Njerëzit që banojnë në fshat e kanë lidhur jetën me tokën. Përgjegjësi e jona t’i ndihmojmë ta zhvillojnë tokën e të prodhojnë prej saj”, – tha Golemi.

Ndërhyrja rrënjësore te kanalet kulluese e vaditëse bën të mundur që fermerët të kenë ujitjen e domosdoshme të prodhimeve të tyre, por edhe të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve të stinës së dimrit. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.