Dixhitalizimi i Shëndetësisë, pas 4 sistemeve së shpejti edhe e-Depo

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka informuar se dixhitalizimi i shëndetësisë po vijon ndërsa sipas tyre po rritet edhe cilësia e shërbimit në këtë sektor.

Pas integrimit për herë të parë të 4 sistemeve eRx, eReferim, eVizita, së shpejti do të vihet në dispozicion edhe e-depo.

“Dixhitalizimi i Shëndetësisë. Vazhdojmë punën për rritjen e cilësisë së shërbimit në sistemin shëndetësor. Pas integrimit për herë të parë të 4 sistemeve: eRx, eReferim, eVizita së shpejti edhe e-depo. Misioni ynë, rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, lehtësimi i punës së mjekëve, kujdes dhe diagnostikim i shpejtë i pacientëve”, informojnë specialistët e FSDKSH.

Më herët, u lehtësuan edhe procedurat për pacientët që trajtohen me barna me rimbursim pranë farmacisë së QSUT-së. Shërbimi mjekësor universitar tanimë realizon konsulta online me pacientin që trajtohet me barna me rimbursim, të cilat tregtohen në farmacitë e QSUT-së.

Konsulta realizohet nëpërmjet Telemjekësisë apo çdo komunikim telefonik/elektronik si: Skype, WhatsApp, Viber etj. Mjeku specialist i shërbimit universitar do të gjenerojë recetën me rimbursim në sistemin eRx dhe kodet e recetës elektronike do t’i dërgohen farmacisë.

Pacientët që trajtohen me këto barna do të jenë nën kujdesin e mjekut specialist rajonal/bashkiak për çdo shfaqje të efekteve anësore që mund të vërehen dhe në kontakt të vazhdueshëm apo edhe monitorim nga mjeku i përgjithshëm dhe i familjes.

Ndërkaq, farmacia spitalore përgatit barnat me rimbursim sipas recetave të printuara nga sistemi eRx sipas rajoneve përkatëse për operatorin e shpërndarësit farmaceutik. Operatori shpërndarës farmaceutik realizon tërheqjen e barnave me rimbursim sipas rajoneve. Operatori shpërndarës farmaceutik siguron po ashtu edhe shpërndarjen dhe dorëzimin e barnave për kategoritë e pacientëve të vetmuar, mbi 65 vjeç.  z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.