VIDEO/ Protesta e artistëve dhe opozitës për godinën e teatrit

TIRANË, 20 maj/ ATSH-A. Fortuzi/ Protesta e radhës e artistëve dhe opozitës joparlamentare për godinën e Teatrit po zhvillohet në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”, në hyrje të pedonales.

Sikurse u lajmërua më herët, protestës i janë bashkuar drejtues të partive opozitare jashtëparlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, si dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila shoqërohet nga nënkryetari Petrit Vasili si edhe mbështetës të këtyre partive.

Protesta u hap nga aktori Neritan Liçaj, ndërsa mbajtën fjalime protestues të tjerë.

“Jemi këtu një frymë, një grup njerëzish që besuan tek kauza. Ajo kauzë paska qenë e drejtë. Qëllimi ishte që t’i merrnin ato dy teatro dhe t’i pushkatonin. Jemi për të thënë: Ne jemi shqiptarë dhe thërrasim në kauzë të gjithë shqiptarët, me parti, pa parti, të gjithë ata që ndiejnë të bukurën brenda tyre”, tha Liçaj.

Regjisori Robert Budina kërkoi që Drejtësia të zbardhë atë që e cilësoi “sulm terrorist mbi artistët dhe aktivistët”.

“Ne nuk do tërhiqemi se jemi kockë e fortë. Kërkojmë nga drejtësia të zbardhë sulmin terrorist që u krye mbi artistët e qytetarët e intelektualët. Nëse nuk ka një reagim, qytetarët legjitimohen të mbrojnë veten e pasuritë e tyre me të gjitha format”, tha ai.

Koloreto Cukali përfaqësues i shoqërisë civile kërkoi që “duhet mbajtur gjallë ajo që ka ndodhur këtu, duhet ta mbani gjallë protestën”.

“Ata gazetarë na kanë informuar. Shqipëria po zgjohet dhe ky është 21 Janari i Edi Ramës. Ata njerëz mund të kishin vdekur brenda. U vranë dy ndërtesa. Të vrasësh trashëgiminë kulturore europiane është po aq e rëndë sa të vrasësh njerëz në Bulevard”, tha Cukali, duke kujtuar pikërisht kohën kur ministër i Brendshëm në 21 janar të vitit 2011 ishte  Lulzim Basha.

Në nisje të protestës, pjesëmarrësit nisë nënshkrimin e një peticioni të organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për të rindërtuar Teatrin Kombëtar ashtu si ishte. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.