Veliaj nxjerr pamjet e projekteve të arkitektit Ingels: Ne humbëm 3 vjet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka thënë se Bjarke Ingels, projektuesi i Teatrit të ri Kombëtar është shpallur nga “Time Magazine” si një nga 100 njerëzit më influencues në botë.

Teksa ka publikuar videon me disa nga punët e tij, Veliaj shprehet se “emri i tij mban firmën e disa prej projekteve më mbresëlënëse arkitekturore në Europë, por edhe me gjerë përtej oqeanit, në SHBA, si dhe në Australi, Kinë dhe Singapor. Nga projektet e realizuara prej tij përgjatë vitit 2018 spikasin objekte moderne në Danimarkë, SHBA, Zvicër e Francë. Ndërkohë që bie në sy projekti për aeroportin e Luksemburgut’.

Sipas kryetarit të bashkisë së Tiranës, po kaq inovative janë edhe një sërë projektesh arkitekturore të realizuara gjatë vitit 2019, nga një studiot më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Grop” me qendër në Danimarkë.

“Ndërsa mes projekteve të vitit 2020 të realizuara nga arkitekti Bjarke Ingels, spikat ai i Teatrit të ri Kombëtar në vendin tonë, i cili ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën. Teksa ne kemi humbur 3 vjet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, hidhini një sy projekte vetë jashtëzakonshme që ka konceptuar apo realizuar gjatë kësaj kohe arkitekti Bjarke Ingels”, thotë Veliaj. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.